Seanca paraprake e parashikuar për sot ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, nuk është zhvilluar siç ishte planifikuar. Shkak për shtyrjen e saj është bërë mungesa e avokatit mbrojtës të Kryemadhit.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala për BalkanWeb, gjatë seancës, SPAK ka dorëzuar edhe prova të reja që rëndojnë pozitën e Metës dhe Kryemadhit. Prokuroria e Posaçme pretendon se hetimet kanë zbuluar skema të korrupsionit dhe abuzime me detyrën gjatë ushtrimit të funksioneve publike.
Përveç dy ish-drejtuesve politikë, në gjykatë janë dërguar edhe tre persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje.
Më 29 gusht, SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim, duke akuzuar Metën dhe Kryemadhin për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Kujtojmë se Meta ka kundërshtuar masat e sigurisë të vendosura ndaj tij, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe me prapavijë politike.

