Hetimet e SPAK për tenderin e mbikëqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë kanë çuar në thirrjen për marrje në pyetje të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila tashmë figuron si person nën hetim. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se dyshimet lidhen me paracaktimin e fituesit të një kontrate me vlerë afro 2 milionë euro, të shpallur në dhjetor të vitit 2021.
Sipas raportimit të gazetarit Elton Qyno, hetimet kanë nisur pas veprimeve procedurale ndaj ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, dhe 21 zyrtarëve të tjerë, të cilët tashmë janë marrë të pandehur dhe dërguar në gjykatë. Paralelisht, prokurorët kanë zgjeruar hetimin edhe mbi një tjetër procedurë tenderimi, ku dyshohet se është favorizuar një grup kompanish të lidhura me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Tenderi në fjalë kishte si qëllim mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me fond limit 196 milionë lekë. Në garë morën pjesë dy bashkime operatorësh: “Staki Eltidi” dhe “Gjeokonsult & Co”; “Hill International N.V” dhe “Net-Group”.
Pas skualifikimit të parë për mungesë dokumentacioni, fituese u shpallën kompanitë “Hill International N.V” dhe “Net-Group”, me ofertë prej 194 milionë lekësh, shumë afër fondit limit.
Sipas dosjes hetimore, “Net-Group” ishte një kompani e blerë nga Valter Begaj, i njohur si person i afërt me ish-drejtorin e ARRSH-së, Ervis Berberi. Prokurorët dyshojnë se lidhjet mes Berberit, Begajt, Ervis Lamit dhe zyrtarëve të Ministrisë mund të kenë ndikuar në rezultatin e tenderit.
Dokumentet noteriale tregojnë se më 4 dhjetor 2024, Begaj i ka dhuruar aksionet e tij në “Net-Group” shtetases Loreta Vallja, një lëvizje që hetuesit po e verifikojnë për të kuptuar nëse ka pasur përpjekje për të fshehur pronësinë reale të kompanisë.
SPAK ka ngritur dyshime se tenderi është paracaktuar, ndërsa kompanitë e tjera janë skualifikuar në mënyrë të pajustifikuar. Ish-drejtori Berberi akuzohet se ka favorizuar shokët e tij në disa procedura publike, përmes kontrollit të tërthortë mbi kompani private.
Berberi konsiderohet prej kohësh si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila tani pritet të japë shpjegime për rolin e saj në këtë proces tenderimi.

