Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është thirrur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për t’u paraqitur si person që ka dijeni mbi ngjarjet e 21 janarit 2011.
Sipas burimeve nga Kuvendi, fletëthirrja e SPAK ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë, por grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka refuzuar ta tërheqë atë. Përmes një njoftimi zyrtar, administrata e Kuvendit i ka bërë me dije Prokurorisë së Posaçme se dokumenti mbetet i paprekur në protokoll, duke i hapur rrugë procedurës ligjore që parashikon njoftimin individual të personit të thirrur.
Ndërkohë, thirrja e SPAK vjen në një moment kur hetimet për 21 janarin janë rihapur, pas kërkesave të familjarëve të viktimave dhe vendimeve të mëparshme të gjykatave për të rishikuar dosjen. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Sali Berisha lidhur me këtë zhvillim, ndërsa pritet që institucionet të sqarojnë hapat e mëtejshëm proceduralë.

