Dosja e tenderit për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano, me vlerë rreth 400 milionë euro, është referuar për hetim në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Referimi është bërë përmes një kallëzimi penal, ku ngrihen dyshime për shkelje të rënda të ligjit të prokurimit publik, favorizim të një subjekti të vetëm dhe konflikt interesi.
Sipas kallëzimit, kompania ARCHIRODON, e regjistruar si filial qipriot por e prezantuar publikisht si greke me seli në Holandë, ka qenë e vetmja e ftuar për të paraqitur ofertë. Kompanitë e tjera ndërkombëtare janë skualifikuar që në fazën e parakualifikimit për “pasaktësi të vogla” ose interpretime të diskutueshme të rregullave të tenderit.
Një element i rëndësishëm është përfshirja e kompanisë Royal Haskoning DHV (RH), e kontraktuar nga Autoriteti Portual Durrës për hartimin e dokumenteve të tenderit, vlerësimin e ofertave dhe supervizimin e punimeve, me një kontratë mbi 12 milionë euro. Kallëzimi pretendon se kjo përbën konflikt interesi, pasi RH kishte hartuar edhe projektin teknik të portit.
Po ashtu, në dokument ngrihen dyshime për përjashtimin nga gara të disa prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare nga Kina, Belgjika, Franca, Italia dhe Holanda, që plotësonin kriteret teknike dhe financiare, ndërsa është e paqartë sesi ARCHIRODON ka përmbushur të gjitha kërkesat.
Sipas kallëzimit, kompania fituese ka qenë ofertuesi i vetëm dhe në fazën e parë nuk ka dorëzuar garancinë bankare prej rreth 8 milionë eurosh, që më pas është hequr si kërkesë kur procedura është rihapur. Gjithashtu, janë ngritur dyshime për pagesa jashtë lekut shqiptar dhe arbitrazh jashtë vendit, në kundërshtim me dokumentet e tenderit.
Në kallëzim përmendet edhe një kompani shqiptare si partner ose mbështetëse në ofertë, e cila ndodhet nën hetim për tendera të tjerë në sektorin e infrastrukturës me vlerë rreth 120 milionë euro.
SPAK pritet të shqyrtojë kallëzimin dhe dokumentacionin shoqërues për të vlerësuar nëse ka elementë të veprave penale, si shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion. Çështja aktualisht ndodhet në fazën e verifikimit paraprak.

