Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për arrestimin e zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku.
Sipas SPAK, Balluku ka marrë zyrtarisht statusin e personit nën hetim edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi publik, të lidhura me projektet infrastrukturore të Unazës së Madhe dhe segmenteve përreth saj. Hetimet përfshijnë procedurat me objekt: punimet nga Sheshi Shqiponja deri te Lumi i Tiranës (Loti 1 dhe QMT), ndërtimin e segmentit Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri (Loti 2), vazhdimin e këtij segmenti drejt Shkozës dhe urat mbi lumin Tirana, si dhe ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës për lotet 4, 5, 6 dhe 7.
Më herët, Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK në lidhje me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe një tjetër procedurë të Unazës së Madhe, çështje që lidhen me një aferë me vlerë rreth 210 milionë euro.
Në njoftimin zyrtar, SPAK thekson se kërkesa drejtuar Kuvendit mbështetet në dispozitat e Kushtetutës, Kodit të Procedurës Penale dhe Rregullores së Kuvendit. Prokuroria sqaron se Balluku akuzohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, konkretisht në procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Kërkesa për autorizim ka për qëllim vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore ndaj saj, ndërsa pritet që Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme në ditët në vijim.

