SPAK-u do të kërkojë sot nga Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e lejes për arrestimin e Sali Berishës pas refuzimit të këtij të fundit për t’u paraqitur para organit të akuzës.
Heqja e mandatit të Berishës kërkohet nga SPAK-u me qëllim vendosjen e një tjetër mase ndaj tij, ndërkohë që vetë ish-kryeministri në një konferencë shtypi deklaroi se ndaj tij po tentohet të kryhet një poshtërim publik.
Ai theksoi se nuk do të shkojë në Këshillin e Mandateve, ndërsa kërkoi pjesëmarrje në protestën e thirrur prej tij ditën e sotme.
“Me qëllim, për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar iu adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por iu adresua Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e parlamentit. Imuniteti i deputetit është mbrojtje për parlamentin dhe funksionimit të tij. Grupi parlamentar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’i treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë.
Në këto rrethana, Edi Rama dhe larot e tij, vrapuan drejt parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese që kanë dhënë ndaj meje me masa më të rënda, arrestin me burg ose arrest shtëpie.
Ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie. Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit, që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare. Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament” – tha Berisha..