Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për biznesmenin Mirel Mërtiri. Mërtiri akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në dosjen hetimore për aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Urdhër-arreste ndërkombëtar janë lëshuar dhe për shtetasit Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, po ashtu të vënë nën akuzë për aferën e inceneratorëve.
“Shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim.” – theksohet në aktakuzën e SPAK-ut.
Stela Gugallja raportohet të jetë lokalizuar në Austri, ndërkohë që SPAK-u njoftoi se ka kërkuar ekstradimin e saj drejt Shqipërisë.