Nga Ermal Mulosmani
Pas një periudhe të gjatë ku Prokuroria e Posaçme e Antikorrupsionit (SPAK) bëri operacione të padëgjuara më parë, duke proceduar, arrestuar dhe ndëshkuar një numër të madh figurash politike të njohura, ka ardhur momenti i përplasjes finale. Në fund të kësaj përplasjeje ose do të arrestohet Kryeministri (çka është krejt e pamundur për sa kohë është në detyrë) ose SPAK-u do të zbythet dhe gjithë reputacioni i deritanishëm do të thërmohet e do të bëhet hi (çka është një parashikim realist).
Unë i përkas grupit të atyre njerëzve që kam menduar gjithmonë se ndëshkimi nga SPAK-u është me limite: Frankenshtajni ynë (kryeministri) e kishte nën kontroll dhe e përdorte krijesën e tij sipas interesave të veta. Fakti që “monstra” ishte krijesë e prindërve të dyfishtë (SHBA + Rama) ishte një argument i qenësishëm në mbrojtje të idesë se mund të dilte nga kontrolli. Por fakti që Rama po konfirmohej gjithmonë e më shumë me votë, e forconte paprekshmërinë e tij. Fundja, kur ta ndjente rrezikun, do të përdorte “sovranitetin e votës popullore” mbi çdo interes strategjik të vendit. Kështu kam menduar dhe mendoj akoma.
Kryeministri ynë e përdori — në rastin më të keq — dhe e toleroi — në rastin më të mirë — SPAK-un kur ishte puna për disa nga ministrat shumë të afërt të tij. Kujtoj këtu Saimir Tahirin dhe Ilir Beqajn, dy emra që bënin pjesë në një grup shumë të ngushtë të tij në momente të caktuara. Reformat e tyre ishin promovuar si dy nga më të suksesshmet në qeverinë “Rama 1”. Megjithatë, kryeministri vendosi të mos komentonte dënimin e tyre. Për Tahirin madje deklaroi se ishte “një dru i shtrembër në turrën tonë”, një përpjekje për të thënë se stiva e druve socialiste në përgjithësi ishte e drejtë dhe SPAK-u po punon mirë.
Por hap pas hapi, në rrjetën e SPAK-ut po binin njëri pas tjetrit ministra, deputetë, drejtorë institucionesh qendrore, kryetarë bashkish, saqë u krijua një slogan tjetër: “Nuk është SPAK-u që po lufton korrupsionin, por vullneti ynë që mbrojmë SPAK-un.”
Nëse me fjalën “vullneti ynë” nënkuptojmë vullnetin e kryeministrit — afërmendsh është një logjikë e tillë duke parë qeverisjen personale të tij në 12 vite — atëherë ky është edhe një pohim, për pasojë, se SPAK-u komandohet nga Rama. Megjithëse burgjet po mbusheshin me ministra e deputetë socialistë, kryeministri gjente rast të mburrej: Po i arrestoj vetë!
Asnjë ndjesë publike për përzgjedhjen e kaq shumë hajdutëve në pushtetin rilindas.
Ky ishte edhe perceptimi mes skeptikëve të SPAK-ut: Rama po arreston me regji, madje edhe ish-zëvendësin e tij, Arben Ahmetajn. Arrestimi i Erion Veliajt gjithashtu ishte një moment krize në raportet ndërpersonale me kryeministrin, duke u dhënë spakistëve trofeun më të çmuar në listën jo të shkurtër të arritjeve të tyre.
Marrja e pandehur e Belinda Ballukut ishte një kufi imagjinar maksimal që mosbesuesit e SPAK-ut kurrë nuk mendonin se do të kapërcehej. Kur lajmi u bë publik, pati një habi të madhe kolektive.
E vetmja gjë e përbashkët mes të gjithëve ishte: SPAK-u preku Ramën. Belinda ishte vetë Rama.
Padyshim ishte vendimi më kurajoz i një prokurori, marrë parasysh jo vetëm peshën formale në ekzekutiv, por sidomos atë informale. Zonja Balluku, që mahnitet nga telenovelat turke të cilat i citon si burime të besueshme informacioni për njohjen e historisë, është njeriu që lëviz të gjitha fijet e pushtetit të Ramës. Një tufë ministrash dhe drejtorësh qendrorë janë të përzgjedhurit e saj, punët më të vështira janë në komandën e saj. Balluku, në rast se do ta përshkruanim me një fjalë, është kryeministri në detyrë.
Prokurori i çështjes hodhi në qarkullim pjesëza pikante nga dosja për të marrë miratimin e opinionit publik, të vetmit aleat që i ka mbetur, përveç ndonjë regëtimë amerikane që vjen herë pas here në ndonjë deklaratë. Ata e dinë se situata është delikate, se kanë nisur betejën finale, atë me Frankenshtajnin, krijuesin e tyre.
Kryeministri nuk mund ta humbë këtë luftë. Armët politike të tij janë shumë më të sofistikuara sesa mjetet klasike të drejtësisë. Ai sot është vetëm në fazën e parë të mbrojtjes, po respekton procedurat. Me një fjalë, po provon të luftojë me të njëjtat armë si ata, si dashnor i Kushtetutës dhe demokracisë. Ai do të bëjë çmos ta fitojë këtë betejë në këtë fazë, me të gjitha mjetet. Dhe unë besoj se do ta fitojë: gjykata ka për ta rrëzuar vendimin e pezullimit si antikushtetues dhe në tejkalim të kompetencave të saj. Hapi tjetër u takon SPAK-ut: kërkesë për heqje imuniteti në parlament.
Këtu do të rikthehemi në pikën kritike: a do të ketë kurajo kryeministri ta refuzojë kërkesën? Çfarë do të thotë për reputacionin e SPAK-ut një kërkesë e refuzuar?
Sa për reputacionin e kryeministrit, jam i sigurt se nuk do të pësojë asgjë. E kemi nga përvoja. Do të vazhdojë të qeverisë me të njëjtën arrogancë, sipas motos: “Çfarë nuk të vret të bën më të fortë.” Në mungesë të një opozite që frymëzon protesta dhe në njëfarë letargjie popullore konformizmi, parashikimi është i lehtë.
Këtu do të ishte fundi i SPAK-ut. Si çdo hero që vdes në fund të filmit. Fatkeqësisht.

