Detaje të reja janë bërë publike nga seanca me dyer të mbyllura e zhvilluar në Apelin e GJKKO-së, ku Prokuroria e Posaçme ka paraqitur prova shtesë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe dy vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi. SPAK ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, përfshirë edhe masën e pezullimit nga detyra për Ballukun, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vetëm efektet e masës dhe jo vetë masën në thelb.
Sipas burimeve për mediat, prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kanë dorëzuar prova të reja që, sipas tyre, rëndojnë pozitën e numrit dy të qeverisë Rama. Mes materialeve të paraqitura përfshihen edhe dokumente të dërguara në Kuvend, të cilat, sipas SPAK, përforcojnë dyshimet për shkelje të barazisë në procedurat e tenderimit.
Në anën tjetër, mbrojtja e zv.kryeministres ka kërkuar pushimin e gjykimit për masën e pezullimit, duke argumentuar se për këtë çështje është shprehur tashmë Gjykata Kushtetuese. Seanca ka nisur që në orët e para të mëngjesit, ndërsa trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendimin përfundimtar.
Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderë, në lidhje me procedurat e ndjekura për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.

