Presidenti i Republikës, Bajram Begaj firmosi emërimin e Ilir Xhebexhias në postin e Komandantit të Forcave Tokësore.
Xhebexhia është një ndër të paditurit në SPAK për çështjen e pronave të ushtrisë në zonën e Shëngjinit dhe çështja është ende nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
Pas nisjes së hetimeve nga SPAK-u, Xhebexhia u largua nga detyra e Komandantit të Forcave Detare për të kaluar në drejtimin e Forcave Logjistike.
Ndërkohë që ende nuk ka një vendim final nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Xhebexhias i besohet një tjetër detyrë që do ta kalojë në gradën gjeneral major (me dy yje), përveç postit të ri që i është dhënë nga Begaj.