TIRANË – Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka intensifikuar hetimet pasurore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe familjarëve të tij. Në fokus të hetimeve është edhe vëllai i tij, Arbër Veliaj, lidhur me aktivitetin financiar të kompanisë së tij “Gogel”. Sipas burimeve, kompania ka pasur një rritje të ndjeshme të të ardhurave pas vitit 2015, duke ngritur pikëpyetje mbi origjinën e këtyre fitimeve dhe lidhjet e mundshme me pushtetin lokal .
Dokumente financiare dhe pronësore për Arbër Veliajn, Ajola Xoxën, dhe nënën e kryebashkiakut, Shqiponjë Veliaj, janë dorëzuar tashmë nga bankat e nivelit të dytë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe institucione të tjera. SPAK po shqyrton gjithashtu veprimtarinë financiare të bashkëshortes së kryebashkiakut, Ajola Xoxa, në kuadër të një hetimi më të gjerë që përfshin përdorimin e influencës publike për përfitime private.
Kjo çështje lidhet gjithashtu me hetimet për skandalin e inceneratorëve, ku Erion Veliaj është marrë në pyetje më parë. Për momentin, SPAK nuk ka dhënë detaje të mëtejshme, ndërsa hetimet janë në fazën fillestare .
Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet kjo dosje, e cila ka ngjallur interes të gjerë në opinionin publik dhe median shqiptare.