Autoritetet e kontrollit ushqimor në Slloveni kanë dhënë alarmin pas zbulimit të specave të importuar nga Shqipëria, të cilët përmbanin tre lloje pesticidesh të rrezikshme. Produkti u tërhoq menjëherë nga tregu dhe qytetarëve iu bë thirrje të mos e konsumojnë.
Sipas analizave të kryera më 26 gusht, rezultoi se ngarkesa e ardhur nga Shqipëria nuk i përmbushte standardet evropiane të sigurisë ushqimore. Për këtë arsye, sistemi RASFF lëshoi një “njoftim alarmi”. Nuk është rasti i parë: edhe në korrik, Sllovenia bllokoi një tjetër sasi specash shqiptare për të njëjtën arsye.
Ku dështojnë kontrollet?
Zinxhiri i sigurisë nis që nga fermeri, i cili duhet të mbikëqyret nga agronomët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB). Ky institucion, së bashku me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), është përgjegjës edhe për kontrollin e farmacive bujqësore, të cilat nuk duhet të tregtojnë pesticide të paregjistruara ose të futura kontrabandë – një fenomen që ekspertët e kanë denoncuar edhe më parë.
Më pas, përgjegjësia bie mbi grumbulluesit dhe eksportuesit, të cilët duhet të kryejnë kontrolle të brendshme dhe të pajisin produktin me certifikata fitosanitare përpara eksportit. Në teori, pa këto vula sigurie, produkti nuk del jashtë vendit. Por fakti që në Slloveni u gjetën pesticide ngre dyshime serioze se analizat janë manipuluar ose nuk janë kryer.
Roli i AKU-së
Pas një rasti të tillë, AKU duhet të ndjekë gjurmët deri te fermeri dhe farmacia bujqësore që ka shpërndarë pesticidet. Po ashtu, duhet të hetohet nëse sasia e kontaminuar është shpërndarë edhe në tregun vendas, gjë që do të kërkonte bllokimin e menjëhershëm të produktit.
Nga janari deri më sot, janë regjistruar 21 raste të produkteve shqiptare të refuzuara në BE për shkak të pesticideve ose pranisë së salmonelës në produkte peshku. Pjesa më e madhe e paralajmërimeve ka ardhur nga Kroacia.
Heshtja institucionale
Megjithë numrin e lartë të rasteve, autoritetet shqiptare rrallëherë kanë reaguar publikisht apo kanë mbajtur përgjegjës penalë. Edhe për ngarkesën e fundit të specave në Slloveni, deri më tani nuk është dhënë asnjë qëndrim zyrtar.

