Një ngarkesë me speca të kuq, të importuar nga Shqipëria, është tërhequr urgjentisht nga tregjet në Slloveni, pasi analizat zbuluan nivele të larta pesticidesh.

Autoritetet njoftuan se kompania Geaprodukt urdhëroi largimin e produktit nga qarkullimi, pasi në të u gjetën substanca të ndaluara si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid. Specat kishin hyrë në Slloveni midis 24 gushtit dhe 4 shtatorit, të paketuar në kuti kartoni dhe qese plastike.

Konsumatorëve u është kërkuar të kthejnë produktin në dyqanin ku e kanë blerë ose, nëse kjo nuk është e mundur, ta hedhin. Po ashtu, qytetarëve që mund të kenë konsumuar specat e ndotur u rekomandohet të lajnë duart dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast shqetësimesh shëndetësore.

Ky rast vjen menjëherë pas një tjetër ngjarjeje të ngjashme në Kroaci, ku u bllokua një sasi prej 5,562 kilogramësh pjeshkësh me origjinë shqiptare, për shkak të niveleve të larta të nikelit.

Njoftimi për pjeshkët u dha përmes sistemit evropian të alarmit ushqimor RASFF më 22 gusht. Analizat e kryera në Kroaci treguan shkelje të normave të sigurisë, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shqipëri konfirmoi se produkti nuk kishte hyrë në tregun vendas, por ishte destinuar vetëm për eksport.

Ngarkesa me pjeshkë u asgjësua në Kroaci, ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet për të marrë masa të mëtejshme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *