Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës lidhur me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për pezullimin e përpunimit të vizave për 75 vende, duke theksuar se ky vendim nuk prek lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara.

Në një reagim publik, teksa udhëtonte drejt Kievit për një vizitë zyrtare ku pritet nga Presidenti Volodymyr Zelensky dhe Ministri i Jashtëm Andrii Sybiha, Spiropali u shpreh se spekulimet politike mbi “bllokimin e vizave për shqiptarët” janë të pavërteta dhe keqdashëse.

Sipas saj, vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar vizat turistike, studentore, për biznes, vizita familjare apo aktivitete të lidhura me punën, dhe askush nuk ndalohet të udhëtojë drejt SHBA-së. Ajo sqaroi se ndryshimet lidhen vetëm me rishikimin e rregullave të qëndrimit dhe procesimin e vizave për qëllime imigrimi, në përputhje me politikën amerikane të imigracionit.

Spiropali theksoi se vendimi nuk targeton Shqipërinë, por është një masë e përgjithshme që përfshin 75 vende, mes tyre edhe pesë nga Ballkani Perëndimor. Pezullimi i përkohshëm i përpunimit të vizave të imigracionit, sipas njoftimit të DASH, vjen si pjesë e përpjekjeve për të kufizuar abuzimet me sistemin amerikan të migracionit.

Duke i cilësuar si “trillime politike” pretendimet për lista të zeza apo masa ndëshkuese ndaj Shqipërisë, ministrja nënvizoi se Shqipëria mbetet aleate dhe partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara, me një marrëdhënie të ndërtuar mbi vlera dhe qëllime të përbashkëta.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *