Gazetari Osman Stafa ka vazhduar me denoncimet për situatën shqetësuese të mungesës së medikamenteve në Spitalin Onkologjik, duke u fokusuar tek pacientët që vuajnë nga sëmundjet kancerogjene.

Përmes një postimi në Facebook, Stafa publikoi shqetësimin e një pacienti dhe e konsideron këtë situatë një dramë për institucionet shëndetësore të vendit. Qytetarët, të dëshpëruar, po përpiqen të gjejnë medikamentin “Avastinë” nëpër farmacitë e Tiranës.

Sipas gazetarit, mungesa e këtij medikamenti bllokon marrjen e kimioterapisë për pacientët, duke i detyruar ata të drejtohen në tregun e zi, ku çmimi arrin deri në 800 euro.

“Tronditëse të shohësh pacientët me kancer, të dëshpëruar, duke kërkuar ‘Avastinë’ nëpër farmacitë e Tiranës. Ky medikament nuk gjendet në farmaci të hapura, pasi është spitalor dhe sigurohet vetëm nga Ministria e Shëndetësisë. Por Spitali Onkologjik prej dy javësh nuk e ka,” shkruan Stafa.

Ai shton se pacientët janë lënë në mëshirë të fatit: “Kryeministri Edi Rama, a kjo është pasaporta europiane për këta njerëz? Janë braktisur nga shteti dhe ministria. Ata duan të luftojnë për jetën, por ju po ua mohoni shpresën.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *