Stefan Zweig (Stefan Cvajg), është një nga shkrimtarët më të njohur në botë, i viteve 20-të dhe 30-të. U lind më 28 nëntor të vitit 1881 në Vjenë, Austri dhe vdiq më 23 shkurt 1942 në Petrópolis afër Rio de Zhaneiro, Brazil. Ishte një ndër shkrimtarët më të shquar austriakë. Ai shkroi novela dhe tregime, si edhe shumë biografi të figurave të njohura të historisë së botës, ndër të cilat më e famshmja është biografia e Mary Stewart (Maria Stjuart), si edhe ajo e perandoreshës Mari Antuanete.

Fillimisht veprat e tij u botuan në gjuhën angleze nën pseudonimin ‘Stephen Branch’ (Stefan Brenc – përkthim i emrit origjinal). Ai ishte i biri i Moris Zweig, pasanik hebre i cili prodhonte tekstile si dhe i Ida Brettauer, e bija e një familjeje bankierësh italianë. Edhe pse rridhte nga familje hebraike, feja nuk luajti ndonjë rol në edukimin dhe formimin e Cvajgut.

‘Feja ime ishte thjesht një rastësi si rrjedhojë e prejardhjes sime’ – është shprehur ai gjatë një interviste.

Cvajgu studioi filozofi dhe histori letërsie si dhe ishte pjesëtar i lëvizjes avangarde “Vjena e Re”. Edhe pse esetë e tij botoheshin në ‘Neue Freie Presse’, botuesi i së cilës ishte udhëheqësi zionist Teodor Herzl, ai nuk ishte i ndikuar nga nacionalizmi hebraik i Herzlit.

Cvajg-u e braktisi Austrinë pas ardhjes në fuqi të Hitlerit. Gjatë kësaj periudhe ai u mbështet botërisht nga kompozitori Richard Shtraus, i cili refuzoi të hiqte emrin e Cvajgut nga parullat për prezantimin e operës së tij ‘Gruaja e heshtur’ (Die schweigsame Frau_) në Dresden. Për këtë arsye Hitleri nuk e ndoqi hapjen e operistikës së muzikantit më të madh të kohës së tij si dhe pas tre shfaqjesh opera u ndalua.

Cvajgu studioi ne Austri, Francë dhe Gjermani. Në vitin 1904 ai mbaroi doktoratën për filozofi dhe arte të bukura nga Universiteti i Vjenës. Përpara se të vendosej në Salzburg (1913) ai udhëtoi nëpër shumë vende të botës. Në 1914 Cvajg u martua me Friderike Maria Burger von Winternitz (1882-1971), e cila i kish dërguar letra adhurimi që nga viti 1901. Friderike u bë shkrimtare gjithashtu dhe ata jetuan bashkë, me dy vajzat e saj nga martesa e parë, për më shumë se 20 vjet.

Vepra e parë e Cvajgut ishte përmbledhja poetike ‘Litarë të argjendtë’ (Silberne Saiten) e cila u botua në vitin 1901 kur ai ishte vetëm 20 vjeç. Më pas u botua në Zvicër, drama e tij kundër luftës, titulluar ‘Jeremiah’, të cilën ai e shkroi në vitin 1917 kur ishte ushtar. Kjo dramë frymëzohej nga Lufta e Parë Botërore dhe u luajt për herë të parë në Nju Jork në vitin 1939. Cvajgu shkroi dhe drama të tjera si ‘Tersites’ në 1907, një tragjedi e shkruar në vargje të lira si dhe ‘Jetë në det’ (Das Hause Am Meer) në 1912, tek e cila pasqyrohej Lufta Civile në Amerikë. Cvajgu jetoi për gati 20 vjet në Salzburg edhe pse si gjithmonë kohën më të madhe e kalonte nëpër udhëtime.

Gjatë Luftës së Parë ai punoi në arkivat e Ministrisë Austriake të Luftës, por u detyrua te largohej për në Cyrih atëherë kur bindjet e tij paqësore ranë ndesh me bindjet e eprorëve të tij.

Cvajgu u bë i njohur fillimisht si poet dhe përkthyes (ai zotëronte 5 gjuhë të huaja, përveç hebraishtes, latinishtes dhe greqishtes së lashtë) dhe më pas si biograf, tregimtar dhe novelist.

Ai njihet si intelektuali i parë që hodhi idenë e një Europe të Bashkuar, në vitin 1908. Cvajgu u përqendrua në mësimet e Sigmund Freud, ndikimi i të cilit ndihet në gjithë krijimtarinë e tij, sidomos në analizat e tij biografike për njerëzit më të shquar të të gjitha kohërave (filozofë, burra shteti, mbretër e mbretëresha, shkrimtarë të shquar etj).

Gjatë kohës në Salzburg, Cvajgu filloi të besonte se persekutimi që Hitleri po u bënte hebrenjve në atë kohë, lidhej direkt me vetë Cvajgun. Ai kurrë nuk u shërua nga ky fiksim, i cili rrjedhimisht u shndërrua në paranojë.

Kur emigroi në Angli (jetoi në Bat dhe Londër), Cvajgu kreu studime për librin e tij të ardhshëm ‘Mary, Mbretëresha e Skocisë’. Në atë kohë ai u takua përsëri dhe me Freud, me të cilin ish njohur në vitet 20. Në vitin 1938 ai botoi librin ‘Padurimi i zemrës’ (Ungeduld des herzens), një histori e zezë dashurie që tregon edhe njohjen e Cvajgut me teorinë psikanalitike të ndjenjës së fajit, një libër ku dashuria fajtore kurorëzohet me një vetëvrasje të dëshiruar e të kërkuar nga dy personazhet kryesore të librit.

Ndërsa në vitin 1938 Cvajg fitoi nënshtetësinë Britanike dhe në vitin 1940, pas një turneu të suksesshëm mësimdhënie në pothuajse tërë Amerikën e Jugut, ai u vendos në Brazil. Cvajgu u nda nga Friderike në 1938 dhe një vit më vonë u martua me Charlotte Altmann, e cila ishte sekretarja e tij që nga viti 1933. Charlotte ishte 27 vjeç më e re se Cvajgu. Në vitin 1941 ata shkuan të dy në Brazil.

Në librin ‘Brazili-vendi i së ardhmes’ (1941), Cvajgu përshkruan bukur historinë, ekonominë, kulturën e vendit duke dhënë përshtypje tepër interesante të cilat përputheshin dhe me thënien e Ameriko Vespuçit kur zbuloi Tokën e Re, e cila thoshte se “… nëse Parajsa ekziston në Tokë, ajo nuk duhet të jetë shumë larg prej këtu…”

Rënia e Singaporit në vitin 1942 përforcoi patundshmërisht bindjen e Cvajgut se nazizmi së shpejti do të pushtonte tërë rruzullin. I zhgënjyer, i izoluar dhe larg Europës, Cvajgu kreu vetëvrasjen së bashku me gruan e tij, pranë Rio de Zhaneiros më 23 shkurt, 1942.

Me urdhër të diktatorit brazilian Getulio Vargas, shpenzimet e varrimit të Cvajgu u paguan nga shteti.

Një ditë para se të vriste veten, Cvajgu dërgoi në shtyp librin ‘Bota e së djeshmes’, i cili u botua pak muaj pas vdekjes së tij.

Ky libër kishte tone autobiografike dhe në një farë mënyre dënon kulturën europiane, të cilën në ato momente ai e quante të humbur.

Në libër ai shkruan: “Shpresoj t’ia kem arritur qëllimit për gjetjen e një formule të vetme për kohën kur u rrita, domethënë para Luftës së Parë Botërore, duke e quajtur atë kohë ‘Era e artë e sigurisë.”/Hejza

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *