Mijëra studentë në Serbi nuk janë mjaftuar me dorëheqjen e kryeministrit, Millosh Vuçeviç, ndërsa kërkojnë që i larguari i radhës të jetë vetë presidenti, Aleksandër Vuçiç.
Protestuesit bllokuan tre urat mbi Danub, duke shprehur vullnetin për të protestuar deri në largimin e presidentit nga pushteti.
Studentët u thanë mediave të huaja, të cilat po ndjekin protestat, se me Aleksandër Vuçiçin në pushtet drejtësia nuk do të japë kurrë vendime të drejta për tragjedinë e Novi Sadit të një muaji më parë, ku 15 persona humbën jetën pas shembjes së strehës në një stacion hekurudhor.

Aleksandër Vuçiç, nga ana e tij, ka nisur një tur takimesh në mbarë Serbinë. Ai po shpalos arritjet e pushtetit të tij 12-vjeçar, ndërsa protestat i cilëson si të orkestruara nga shërbimet e huaja, të cilat synojnë destabilizimin e Serbisë.
Vuçiç e ka refuzuar propozimin për një qeveri teknike si fazë tranzitore drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Ai pretendon se është votëbesuar nga populli në zgjedhjet e fundit, por misionet vëzhguese arritën në përfundimin se procesi zgjedhor kishte pasur parregullsi dhe manipulime.