Ballkani I Suharekës ishte befasia e madhe e sfidave të Konferencë Ligë. Skuadra shqiptare mori një fitore dramatike në transfertë ndaj rivalëve të Sivaspor duke shënuar një sukses historik për futbollin e Kosovës në pjesëmarrjen e parë në një fazë kaq të rëndësishme të një kompeticioni evropian. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes tekniku i Ballkanit, Ilir Daja, vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij duke theksuar se krahas përgaditjes teknike, vendimtar ishte dhe karakteri i ekipit në momentet kyçe të sfidës. “E nisëm ndeshjen me katër mungesa titullarësh. U gjendëm shumë shpejt në disavantazh dhe kjo na goditi disi psikologjikisht, por djemtë treguan karakter duke përmbysur gjithçka. Pastaj Sivaspor na ndëshkoi dhe dy herë të tjera dhe kjo ishte një tjetër goditje e fortë për ne. Sërish reaguam duke treguar se nuk jemi thjesht një ekip I mirë nga ana tekniko-taktike, por dhe një ekip me mentalitetin e duhur në fushën e lojës”- u shpreh Daja.
Lidhur me përballjen e kthimit ndaj turqve me 13 tetor në Prishtinë, Ilir Daja deklaroi se duhet shmangur euforia dhe ndeshja duhet përgaditur në mënyrën e duhur pasi skuadra ka treguar se ka vlera. “Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ky sukses na motivon, por nuk duhet kaluar në eufori. Sivaspor, pavarësisht luhatjeve të formës kohëve të fundit, mbetet një ekip cilësor dhe me kualitet. Ne kemi treguar se dimë të luajmë futboll dhe këtë do të përpiqemi të bëjmë dhe në ndeshjen e kthimit para publikut tonë”- shtoi Daja. Ballkani kryeson grupin G me katër pikë falë golavorazhit, ndërkohë nga katër pikë kanë dhe rivalët e Sparta Pragë, Kluj dhe Sivaspor.