Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës publikoi një video nga manifestimi i maturantëve serbë në veri të Mitrovicës, ku shihen disa prej tyre teksa ngrenë tre gishtat dhe dëgjohen thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë”.
Xhelal Sveçla theksoi se ky ishte një veprim i nxitur nga qarqet e Vuçiqit në Beograd dhe kërkoi nga qytetarët që të mos bien pre e provokimeve të tilla, të cilat synojnë krijimin e tensioneve ndëretnike në këtë pjesë të Kosovës.
Sveçla:
“I tillë ishte edhe manifestimi i sotëm i maturantëve në Mitrovicën e Veriut. Pas njoftimit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha hapat që sigurojnë mbarëvajtjen e plotë të këtij manifestimi. Gjatë manifestimit, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste dhe thirrje shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me simbolin e tre gishtave, që jo vetëm përkujtojnë spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, por manifestojnë edhe pretendimet që ky shtet ka ndaj Republikës sonë.
Republika jonë demokratike garanton të gjitha të drejtat, sikurse nuk mund të lejojë që këto vlera demokratike të cenohen përmes akteve të ngjashme që burimin e kanë te regjimi autokrat e prorus i Vuçiqit.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim të mos bien në provokime të ngjashme, si dhe apeloj të mos instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar dhe kryekrimineli Radoiçiq, që duan eskalim dhe destabilizim të situatës në Kosovë,” – shkroi Sveçla.