Ministri i Brendshëm i Kosovës u shpreh se institucionet e sigurisë kanë prova për përfshirjen direkte të presidentit serb në trajnimin e grupit terrorist i cili kreu sulmin në Banjskë.
Xhelal Sveçla shtoi se Kosova do t’i kundërpërgjigjet çdo përpjekje të radhës për të cënuar integritetin e saj territorial.
“Nuk mund të pretendojmë se nuk ka ndodhur Banjska, se s’ka ndodhur kidnapimi i policëve. Ne me vetëdije kemi vendosur që të kthejmë normalitetin në çdo cep të vendit, të vendosim ligjshmëri edhe në pjesë të tjera. Destruktiviteti i Serbisë duhet të luftohet jo vetëm nga ne, por edhe nga aleatët tanë. Ka pasur deklarata, ftesa qëndrime që Vuçiç duhet të vijë në Kosovë. Deklarata ime ka qenë e zakonshme, është obligim i yni ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Është deklaratë mëse normale e një vendi të pavarur dhe sovran. Nëse Vuçiç pretendon me u fut në Kosovë me ushtri, ne do të përgjigjemi.
Kemi informata inteligjente, dëshmi gojore, që tregojnë se Vuçiç ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e këtij grupi. Kemi të gjitha dëshmitë. Është tjetër nëse dëshirojmë t’i injorojmë apo minimizojmë. Ne për këto arsye kemi pasur edhe takime të Këshillit të Sigurisë. Ne kemi skenarët, përgatitjet dhe mobilizimin e kapaciteteve tona për t’iu përgjigjur çdo lloj agresioni të grupeve terroriste të financuara nga Serbia.” – tha Sveçla për Euronews Albania.