Ministri i Brendshëm i Kosovës theksoi se kërkesa e Aleksandër Vuçiçit për rikthimin në punë të policëve serb që dhanë dorëheqjen nga Policia e Kosovës nuk do të pranohet kurrsesi.
Xhelal Sveçla shtoi se në radhët e këtyre policëve ka patur dhe elemente të lidhur me botën e krimit të organizuar dhe në këtë kuptim, dorëheqja e tyre ishte dhe njëfarë pastrimi i policisë nga të inkriminuarit.

“Dorëheqja e këtyre zyrtarëve policorë, në fakt ka qenë po ashtu për një masë të madhe të tyre, pastrim i elementit kriminal në atë zonë. As që bëhet fjalë që të plotësohet kërkesa e Aleksandar Vuçiqit që ish-policët të kthehen në radhët e Policisë së Kosovës. Kjo jo vetëm se është shkelje ligjore, por është edhe shkelje e vullnetit politik të qytetarëve të Republikës së Kosovës. – u shpreh Sveçla.
Afro 500 policë serb lanë detyrën para dy vitesh në shenjë proteste ndaj represionit – siç pretendojnë ata – të qeverisë së Kosovës ndaj komunitetit serb në veri të vendit.
Presidenti i Serbise e ka vendosur si një nga kushtet e rikthimit në dialog me Kosovën dhe rikthimin e policëve të larguar sërish nën uniformë.