Nga Daut Dauti

Me ardhjen e natës së parë të Ramazanit, njerëzit i hapnin dyert e oborreve. Dyert rrinin hapur ditë e  natë dhe mbylleshin vetëm pas përfundimit të Bajramit. Kapixhikët që lidhinin oborret e fqinjëve, majtas – djathtas, gjithmonë mbaheshin hapur për shkak se qarkullimi ka qenë i madh dhe i pa paralajmëruar. Kështu ka qenë në shumicën e lagjeve të vjetra të qytetit. Me zgjerimin e qytetit, kjo gjë u harrua. 

Netët e Ramazanit sillnin një gjallëri të pazakonshme. Shtoheshin lëvizjet e njërëzve që vizitonin njëri tjetrin, ata që shkonin në xhami për teravi, por më e rëndësishmja ka qenë lëvizja e fëmijëve. Edhe neve  fëmijëve na shtohej liria e qarkullimit dhe kohëzgjatja e qëndrimit jashtë shtëpisë. Gjatë këtyre netëve tuboheshim nën dritën e ndonjë shtylle elektrike dhe vazhdonim me lojërat tona. 

Gjallëria pushonte para mesnatës kur fillonte koha e gjumit. Mbretëronte një qetësi përrallore sa që mund të dëgjohej lehja e qenëve nga lagjja tjetër ose edhe ndonjë krismë e enëve të fqinjëve që ishin vonuar me larjen ose radhitjen e tyre nëpër kredenaca. 

Befas dhe në mënyrë agresive qetësinë e prishte tupanxhiu kur e lajmëronte zgjuarjen për syfyr. Krisma e tupanit vinte nga larg. Tupanxhiu, së pari fillonte ta rrihte tupanin me atë thuprrën e hollë. Herë pas here, për t’ia shtuar dramaticitetin punës së tij, e përdorte atë thuprrën e trashë që njerëzit e quanin guxha e tupanit. Sa më shumë që afrohej tupanxhiu, krisma e tupanit bëhej më e madhe. 

Kisha dëshirë ta shihja tupanxhiun, por asnjë herë nuk e kam parë gjatë punës së tij për syfyr. Por, unë e dija kush ishte tupanxhiu. Ai ka qenë Demiri, një jevg që fliste bukur shqip dhe që në kokë kishte plis. Demirin e njihnim nga dasmat. Madje, ai ishte edhe kryesori në shoqërinë kulturo-artistike (folklorike) të qytetit. Pa Demirin dasma, koncerti dhe Ramazani nuk mund të mendoheshin. Por, ja që unë nuk e pashë kurrë duke i rënë tupanit për syfyr. 

Pastaj, tupanxhiu vinte edhe një herë gjatë asaj nate. Kësaj radhe për të lajmëruar se njerëzit duhej ta lenin bukën dhe të përgatiteshin për agjërim dhe kthim të sërishëm në gjumë.  Për ne fëmijët, syfyri e kishte një aspekt problematik. Kishim dëshirë të madhe të zgjoheshim dhe të hanim me të mëdhenjtë. Aroma e ushqimit të syfyrit ka qenë  e veçant. Njerëzit hanin në heshtje dhe nxitonin më shumë se vakteve tjera. Kur dikush ngrihej i par inga tërvesa, dëgjohej një zë:’ha edhe pak se dita osht e gatë’ ose ‘pije edhe ni tas ujë se iftari osht larg’.  

Kur ne nuk zgjoheshim për syfyr, me apo pa fajin tonë, të nesërmen na ngushëllonin me shprehjen irrituese:’T’kemi thirrë, po nuk je çu’. Pesha e ironisë së kësaj thënie ka qenë e rëndë nëse nuk shndërrohej në humor.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *