Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, u shpreh i kënaqur pas fitores së Shqipërisë ndaj Andorrës, që siguroi vendin e skuadrës në play-off-et e Kupës së Botës, por nuk i shpëtoi pyetjeve për mangësitë e paraqitjes së ekipit.
“Për ndryshime më herët nuk mendoj se mund të bënim shumë. Broja? Pas ndeshjes diskutova me stafin. Ishte një ditë e vështirë dhe m’u kujtua sfida me Moldavinë; skuadra është e fortë. Anglia na mundi 1-0, Letonia barazoi, Serbia 1-1 në 45 minuta. Ne po rritemi, po bëjmë mirë, por nuk jemi Gjermania që fiton 6-0 çdo herë. Broja ishte i mërzitur, nuk e kuptova pse, por kjo është hera e parë që shkojmë në play-off – një natë e mrekullueshme”, tha trajneri.
Ai theksoi se gjithë vendi duhet të festojë arritjen historike: “Kemi humbur vetëm një ndeshje me Anglinë. Për tre milionë shqiptarë në shtëpi, dhe shumë të tjerë jashtë vendit, kjo është një ngjarje për të festuar. Tifozët meritojnë gjithçka. Me të gjithë lojtarët kemi dhënë 100%.”
Kur u pyet për rivalët në play-off, Sylvinho theksoi se tani e gjithë përqendrimi shkon te sfidat që vijnë: “Nuk është për t’u shmangur, është ndeshje teke, pastaj vjen tjetra. Duhet të përqendrohemi te skuadra. Sot jam krenar për të gjithë djemtë. Më vjen keq për lojtarët që nuk luajtën, si Pajaziti dhe Caka, por kemi nevojë për të gjithë. Tuci hyri për të mbajtur topin, mori disa faulle dhe krijoi mbështetje për ekipin.”
Sylvinho përfundoi duke përsëritur krenarinë e tij për skuadrën dhe emocionet që solli fitorja: “I gjithë ekipi dha më të mirën dhe kjo është një arritje historike për futbollin shqiptar. Tani punojmë për play-off dhe për çdo sfidë që vjen.”

