Nga Shaip Beqiri
Përkitazi me shkrimin e Nexhmedin Spahiut: „Tre gishtërinjtë e Rexhep Qoses“
Nën shenjën e polemikës, me titujt: „Tre gishtërinjtë e Rexhep Qoses“ dhe „Qosja në linjën politike antihistorike“, u botua në dy vazhdime shkrimi i Dr. Nexhmedin Spahiut në të përditshmen „Bota sot“ më 27 e 28 maj të këtij viti. Nuk e kam ngenë e as disponimin të merrem me polemikën e këtij autori, por diçka tjetër më shtyu të bëj një ndërhyrje në këtë rast. Fjala është për disa pasaktësi të atij shkrimi dhe për shumë mangësi të autorit të tij. Po ashtu, nuk e kam ndërmend të mbroj qëndrimet politike të Rexhep Qoses. Përkundrazi. Ata shkrime serike të kohëve të fundit të këtij autori të njohur të letrave shqipe, pikësëpari, mendoj se i sjellin një dëm tepër të madh dramës së sotme që po kalon kombi shqiptar. Pa këtë dëm nuk do të mbetet as autori i tyre, Rexhep Qosja, si dhe shumë autorë të tjerë shqiptarë, në mesin e të cilëve ka jo pak personalitete të shquara të kulturës dhe të shkencës shqiptare.
Të pakta janë ato periudha të historisë së shqiptarëve kur ata kanë pasur kaq shumë nevojë për mbështetjen e plotë, pikësëpari, të intelektualëve të vet. A e bënë dhe si e bënë këtë gjë jo pak intelektualë shqiptarë, në mesin e të cilëve pa dyshim bën pjesë edhe R. Qosja, është një temë e gjerë që do trajtim më të denjë dhe shumë më parimor se çfarë i bën asaj N. Spahiu. Këtë gjë natyrisht që mund ta bëjë edhe ai dhe çdokush tjetër, por kurrsesi jo me goditje të tilla të ulëta meskine, të mbushura përplot hamendësime, që më shumë se një polemike publike të argumentuar, i ngjajnë një vargu shpifjesh, trillimesh e bisedash të turbullta të dehurish ndër mejhane të pista. Më në fund, dëmi nga goditjet e tilla publike si ky i Spahiut nuk është aspak më i vogël se kryedëmi që sjellin sot në opinionin shqiptar dhe më gjerë shkrimet, intervistat dhe paraqitjet e tjera publike të Qoses, të Agollit etj., për aktualitetin shqiptar.
Duke dashur të ecë gjithsesi skundrës së tyre, në këtë rast të Qoses, ky angërduf i ri vërsulet me aq shumë krekosje, sa thyen qafën ende pa hedhur një hap. Ai rreket të rrënojë gjithçka që i del përpara, duke cituar profecitë e veta, mikun e vet anonim amerikan, profesor të shkencave politike, duke interpretuar me shumë hamendje e mjegullnajë gjithë lëvizjen kombëtare shqiptare dhe duke i ndarë gjërat në të si me thikë kuzhine fare të paperdorëshme. N. Spahiu të njëjtën qasje, për faqe të zezë, ua bën edhe figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare, duke i vënë ato si figura shahu mbi tabelën që ai e vizaton në pluhurin e squllur të delirit të vet të pafund. Me një fjalë, shkrimi i N. Spahiut i ngjan rrëfimit të një somnambuli, të cilit, pasi që ka ardhur në vete, më kot përpiqesh t’i përkujtojsh ndonjë pjesë nga gjithë ajo që ka dërdëllitur jermërisht, sepse ai madje edhe mund të të akuzojë ty për këtë gjë. Në anën tjetër, në bazë të shkrimit të tij, është tepër vështirë të dish se Dr. i çfarë fushe të dijes është Spahiu: arkeolog, historian, sociolog, neuropsikiatër, gjuhëtar, teoricien apo historian letërsie, kulturolog, politolog, zoolog, apo një mishmash i të gjitha këtyre çorbave që ai vetë i vë në të njëjtën vorbë që t’i ziejë derisa të shterojnë krejtësisht.
Nuk do të doja të zgjatem me këtë Dr. kaq të gjithëpadijshëm e as me çorbën e vorbës së tij, por e ndiej të nevojshme të them me këtë rast vetëm disa vërejtje që nuk kanë të bëjnë veç me të. Së pari, prej nga guximi i këtij angërdufi të hyjë në analiza politikaneske të çështjes së gjuhës shqipe, kur ai vetë, po të analizohet shkrimi i tij sado përciptazi, nuk të bind me asgjë se e zotëron atë në shkallën më të ulët të lejueshme të një shkollari mesatar. Vallë, problemi i njësimit të gjuhës shqipe u dashka të bjerë në nivel të diskutimit me Dr. Spahiun, i cili përdor aq fjalë e nocione të cilëve as hamendshëm nuk ua di kuptimin?! Ai thotë, për shembull, sintagma popull. A thua e di ky Dr. se ç’është sintagma, togfjalëshi? Me këtë nivel dijeje për gjuhën, Dr. i ri dashka të hapë polemikë për probleme kaq të mprehta? Me kë, përse dhe me leje të kujt? Mos i është mbushur mendja Dr. Angërdufit se gjuha letrare shqipe qenka pronë e Rexhep Qoses dhe shpejton kaq shumë t’ia heqë atë nga dora, duke parë prapa vetes kolonën jo aq të vogël të atyre që presin kaherë në radhë për këtë punë?
Polemisti i ri do të ketë mësuar prej ndokujt se gjuha e polemikës duhet të jetë e ashpër, duhet të nxjerrë helm e vrer, prandaj ai do edhe vetë të ngjallë gjithsesi, në këtë përgjasim, përfytyrimin e një kuçedre të hakërruar. Dhe ai në polemikën me tre gishtërinjtë e Qoses nxjerr vetëm shkumë e jargë. Dr. Spahiu duket i mjerë kur mësyn të rrënojë veprën e Rexhep Qoses në fushë të studimeve letrare. Duke dashur të mbajë me çdo kusht vijën e skundrës për gjithçka, ai rreket të bëjë vlerësime qesharake edhe për doktoratën e Qoses, sidomos kur pohon: “Doktoratura e Qoses përmban 70 faqe libri për jetën dhe veprën e Asdrenit dhe, në kushtet e tanishme, kaq faqe nuk mjaftojnë për të diplomuar në fakultet, përkatësisht për të marrë titullin e profesorit për shkolla të mesme”. Pastaj Dr. Angërdufi vazhdon: “Në qarqet letrare të Kosovës vështirë se mund të gjendet njeri që çmon lart veprën e tij si studiues. Ata që e çmojnë lart veprën e tij janë njerëzit jashtë këtyre sferave, ata që nuk e kanë lexuar qoftë edhe një studim të tij. Thënë shkurt, veprën e tij shkencore e çmon vulgu dhe ky është një paradoks”. Është edhe një paradoks më i madh se ky. Është pikërisht ky Dr. që nuk do ta ketë parë me sy kurrë veprën e përmendur të R. Qoses për Asdrenin, e cila ka rreth 500 faqe dhe që mund të konsiderohet si njëra nga monografitë më të themelta mbi jetën dhe veprën e njërit nga poetët më të shquar shqiptarë. Do të thotë, 70 faqet e Dr. Spahiut janë një gënjeshtër e shtatëfishuar përkitazi me këtë pikë të polemikës së tij. Ndërkaq, pjesa tjetër e argumentit polemik që sjell Dr. Spahiu mund të shumëzohet në proporcion gjeometrik të delirit të tij! Vepra e R. Qoses dhe e çdokujt tjetër është e kritikueshme, por kritikën duhet bërë me dije dhe me argumente, aq më parë duke i parë vlerat dhe të metat e saj edhe përtej personalitetit të autorit.
Duke mos dashur të hyj më thellë në këtë ndërhyrje timen rreth çështjeve për të cilat N. Spahiu e ngre polemikën e vet, po kthehem sërish te ideja ime themelore: është shumëfish tragjik fakti kur jo pak kësi intelektualësh, gjysmintelektualësh e pseudointelektualësh, kryesisht për shkaqe nga më të zinjtë, kanë marrë turr të hedhin çdo gjë në humnerë. Po them përsëri se idetë që shfaqi R. Qosja në shkrimet e veta të kohëve të fundit për revolucionin e vonuar demokratik në Shqipëri, por jo vetëm ato, sikundër edhe ato të Agollit, të bëra në këtë stil, i cili kurrë s’e paska ndjerë veten më mirë se këtë pranverë, po edhe të shumë autorëve të tjerë, flasin më shumë se për një mangësi tepër të madhe të botës së tyre mendore e shpirtërore. Megjithatë, argumentet e të njëjtit stil si këta të N. Spahiut, i cili gjithsesi do që do të turret drejt humnerës, nuk i ndihmojnë aspak kapërcimit të tragjedisë nëpër të cilën po kalon kombi shqiptar. Më në fund, me një neokomunizëm që veç së jashtmi duket si njëlloj antikomunizmi, nuk mund të luftohen kurrë të zezat e pashërueshme të komunizmit rrënjosur thellë në ndërgjegje të njerëzve. Këta të fundit dihen, kurse të parët janë të paparashikueshëm dhe të pabesë.
*) Ky shkrim i para më se njëzet vjetësh është hequr nga botimi në momentin e fundit, pasi redaktori i asaj dite i të fundjavshmes “Bota sot”, A. Mala, e kishte shpënë për faqosje. Pas një “tërmeti të vogël”, i spiunuar nga një vjershëkushtues Qoses(!), shefi gjysmanalfabet i gazetës, Xh. M., me sugjerimin këshillues të stafit të vet, kërkoi të mbushej me ndonjë gjë tjetër ajo faqe e gazetës, pa dhënë asnjë shpjegim, thua se dinte ai çfarë ishte shpjegimi për një shkrim që nuk botohet!
(Zürich, më 6.VI.1997)