Tajlanda ka nisur sulme ajrore ndaj Kamboxhias të hënën, duke ndezur një cikël të ri përleshjesh të armatosura përgjatë kufirit të tyre të kontestuar, vetëm dy muaj pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndërmjetësoi një marrëveshje paqeje mes dy vendeve. Siç raporton CNN-i, përplasjet sinjalizojnë një dështim të mundshëm të procesit të armëpushimit të filluar në korrik.
Të dyja shtetet akuzuan njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve. Ushtria tajlandeze deklaroi se goditjet ajrore synuan infrastrukturën ushtarake kamboxhiane, si hakmarrje për një sulm që më herët kishte vrarë një ushtar tajlandez. “Objektivi ishte në pozicionet mbështetëse të krahëve të Kamboxhias në zonën e Grykës Chong An Ma”, tha zëdhënësi i ushtrisë tajlandeze, gjeneralmajor Winthai Suvaree, duke shtuar se shtatë persona janë plagosur.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias mohoi akuzat, duke i quajtur ato “informacion të rreme” dhe duke insistuar se vendi i saj nuk është hakmarrë gjatë sulmeve, ndonëse tha se ushtria tajlandeze kishte kryer “provokime të shumta”.
Sipas CNN, rreth 70% e civilëve në zonat kufitare të Tajlandës janë evakuuar pas rinisjes së përleshjeve. Dy vendet u përfshinë në një konflikt pesëditor në korrik, ku humbën jetën dhjetëra persona dhe rreth 200 mijë u detyruan të zhvendosen.
Armëpushimi fillestar, i arritur më 28 korrik pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Trump, u pasua nga një deklaratë e zgjeruar paqeje e nënshkruar në Kuala Lumpur në tetor, në prani të kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim. Mirëpo, marrëveshja filloi të lëkundej brenda pak ditësh, pasi Tajlanda njoftoi pezullim të progresit pas një shpërthimi mine në vijën kufitare.
Kryeministri malajzian Ibrahim shprehu “shqetësim të thellë” për situatën dhe paralajmëroi se përshkallëzimi rrezikon të minojë përpjekjet për stabilitet në rajon. Si Tajlanda, ashtu edhe Kamboxhia janë pjesë e ASEAN-it, një bllok që synon nxitjen e bashkëpunimit dhe paqes në Azinë Juglindore.
Përplasjet e fundit janë ndër më të rëndat në vitet e fundit, me të dyja qeveritë që hedhin fajin për përshkallëzimin e dhunës.
Burimi: CNN

