Takimi i shumëpritur mes presidentit amerikan Donaldi Tramp dhe presidentit rus Vladimir Putini që zhvillohet sot në Alaskë shihet si moment vendimtar për të ardhmen e luftës në Ukrainë dhe sigurinë evropiane. Ky është kontakti i parë ballë për ballë mes dy liderëve që nga rikthimi i Trampit në Shtëpinë e Bardhë në janar dhe ka shkaktuar pasiguri të thellë në Kiev e Bruksel.

Trampi ka shpallur përfundimin e konfliktit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore si prioritet të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ai ka sinjalizuar se do të kërkojë një marrëveshje të drejtpërdrejtë me Putinin, duke anashkaluar procedurat klasike diplomatike. Kjo ka ngjallur frikë se presidenti amerikan mund të bjerë pre e përvojës së gjatë të liderit rus në negociatat me Perëndimin.

Deklarata e Trampit se mund të diskutojë edhe për “shkëmbime territoriale” mes Rusisë dhe Ukrainës ka rritur ndjeshëm shqetësimin në kryeqytetet evropiane. Analistët paralajmërojnë se një njohje e kontrollit rus mbi territore të pushtuara do të legjitimonte agresionin e Kremlinit dhe do ta linte Kievin pa garanci sigurie.

Andrea Kendëll-Tejlor nga Qendra për Siguri të Re Amerikane vlerëson se është “jashtëzakonisht e vështirë të kuptohen qëndrimet e Trampit ndaj Ukrainës për shkak të kthesave të papritura dhe kontradiktave”. Ajo shton se ekziston rreziku që Putini të paraqitet si i gatshëm për paqe, ndërsa Trampi ta perceptojë presidentin ukrainas Volodimir Zelenski si pengesë.

Nga ana e tij, Zelenski po përpiqet të sigurojë mbështetje të plotë nga partnerët evropianë. Në Londër ai zhvilloi bisedime me kryeministrin britanik Keir Starmerin për garancitë e sigurisë që Ukraina i konsideron të domosdoshme për një armëpushim të qëndrueshëm. Po ashtu, udhëheqësit evropianë kanë shtuar kontaktet me Trampin për të shmangur një marrëveshje të arritur pa pjesëmarrjen e Kievit.

Në Moskë, Putini përshëndeti përpjekjet amerikane duke i quajtur “të sinqerta dhe energjike”, edhe pse analistët vlerësojnë se ai nuk ka ofruar asnjë lëshim real. “Vetë fakti që ky takim po ndodh është fitore për Rusinë, sepse e legjitimon Putinin në skenën ndërkombëtare”, thotë Olga Tokariuk nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane.

Sipas saj, skenari më i rrezikshëm do të ishte që Ukraina të detyrohej të pranonte lëshime territoriale pa marrë garanci sigurie, çka do ta inkurajonte Rusinë për agresion të ri.

Trampi, ndërkohë, lë të hapur mundësinë e një takimi trepalësh me Zelenskin nëse bisedimet me Putinin japin përparim. Megjithatë, Kremlini ka hedhur poshtë idenë e përfshirjes së menjëhershme të Ukrainës, duke këmbëngulur se një takim i tillë ka kuptim vetëm kur palët të jenë pranë një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.

Edhe pse presidenti francez Emanuel Makron ka thënë se Trampi i ka garantuar se “çështjet territoriale do të negociohen vetëm nga presidenti ukrainas”, paqartësitë mbeten të mëdha. Trampi ka paralajmëruar Moskën për “pasoja shumë të rënda” nëse lufta nuk ndalet, por pa sqaruar se cilat do të jenë ato masa.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *