Publikuar nga Ruben Avxhiu

Në fillim të viteve ’70, regjimi i kolonelëve në Greqi, një diktaturë kuazi-fashiste, kërcënonte se do t’ia merrte Shqipërisë Vorio-Epirin.

Dukej si një shaka e trashë, sepse puna e kufijve ishte mbyllur në Evropë dhe sferat e influencës ishin ndarë e çimentuar bashkë me Murin e Berlinit.

Enver Hoxha në Tiranë ishte paranojak, por ky ishte një nga ato rastet e rralla kur paranoja kishte një bazë. Kolonelët besonin se kishin mbështetjen amerikane, ndërsa Shqipëria kishte gati 10 vjet që ishte prishur me Bashkimin Sovjetik dhe kishte dalë nga harta e blloqeve të ndara me perden e hekurt.

Kolonelët mund të ndërhynin ushtarakisht për të pushtuar jugun dhe ta paraqisnin si përpjekje për të rrëzuar komunizmin në Shqipëri. Vetëm pak vite më parë, CIA e kishte provuar vetë me diversantë shqiptarë, duke ndjekur “teorinë e dominosë”: nëse bie komunizmi në një vend, fillon të bjerë edhe në vende të tjera.

Mbase nuk do të ndodhte, por çfarë do të humbte SHBA nëse të marrëzit në pushtet të Greqisë do ta provonin me kokën e tyre, pa lejen e saj zyrtare? Shpërblimi, në mendjen e kolonelëve, mund të ishte “Vorio-Epiri”.

Mbase ishte thjesht fantazi e sëmurë nacionaliste greke, por shqiptarët po përpiqeshin të merrnin me mend sa ishte e mundshme që ajo të bëhej realitet. Gjatë luftës civile greke, Shqipëria kishte ndihmuar palën komuniste, duke rrezikuar edhe konfliktin ushtarak. Por në atë kohë besohej se sovjetikët do të vinin në ndihmë. Tani duhej t’i bënin hesapet vetë.

Shqetësimi kishte kaluar edhe Oqeanin, te shqiptarët nacionalistë në SHBA, shumë prej të cilëve ëndërronin rënien e regjimit komunist në Shqipëri, por asnjëri prej tyre nuk do të pranonte që, si shkëmbim, të copëtohej jugu i vendit.

Rreth 10 vjet më parë, kur kryeministri Mehmet Shehu kishte shkuar në OKB për Asamblenë e Përgjithshme, nacionalistët shqiptarë kishin dalë në protestë për të dënuar krimet e komunizmit në Shqipëri. Anash tyre, po bëhej një protestë paralele kundër Mehmet Shehut dhe Shqipërisë nga nacionalistët grekë që kërkonin aneksimin e jugut.

Atëherë, shqiptarët e lanë protestën e tyre dhe shkuan e u përleshën me nacionalistët grekë. Atdheu ishte më i rëndësishëm se ideologjia.

Tani që kolonelët ishin në pushtet në Greqi dhe kishin kërcënuar me ndërhyrje, a do ta aprovonte SHBA sulmin ndaj një vendi me të cilin nuk kishte as marrëdhënie diplomatike?

Pikërisht në këtë kohë, një biznesmen i ri me emrin Ekrem Bardha, në Michigan, arriti të sigurojë një takim me Presidentin Richard Nixon. Ishte hera e parë, pas një gjysmë shekulli, që një shqiptar takohej me një president amerikan.

I pari, sipas historisë, kishte qenë Fan Noli, kur i kërkoi Presidentit Woodrow Wilson që të mos lejonte zhdukjen e shtetit shqiptar nga fqinjët e fuqishëm që planifikonin ta ndanin mes tyre.

Në kohën e Nolit, SHBA sapo po hynte për herë të parë si faktor në historinë e Evropës, duke ndryshuar përgjithmonë fatin e shqiptarëve. Gjysmë shekulli më vonë, SHBA ishte një nga dy superfuqitë e armatosura me arsenal madhor bërthamor.

Ekrem Bardha nuk kishte arsim të lartë, kështu që i foli thjesht dhe shkoqur Presidentit. Për koincidencë, Nixon ishte dikush që i shihte me dyshim intelektualët dhe preferonte të folurën e drejtëpërdrejtë.

Bardha i tha se shqiptarët e Amerikës ishin antikomunistë dhe republikanë. Ata nuk e donin regjimin e Tiranës, por ishin patriotë dhe, nëse donte votën e tyre, Nixon duhej të premtonte se integriteti territorial i Shqipërisë nuk do të prekej. Bardha ishte i sigurt se pa lejen e tij, kolonelët grekë nuk do të guxonin të vepronin.

Nixon i shtrëngoi dorën dhe i premtoi menjëherë se Greqia nuk do të aneksonte territore të Shqipërisë.

Ekrem Bardha vinte nga një shoqëri ku fjala e burrit ishte gjithçka, por kishte jetuar shumicën e jetës në një vend ku avokatët të mësonin se fjalët e politikanëve i merrte era, por premtimet me shkrim ishin ligj.

Duke rrezikuar të provokonte një nga presidentët më temperament të historisë amerikane, shqiptari nga Kolonja e pyeti Presidentin nëse mund t’ia jepte me shkrim atë që sapo tha.

Nixon kërkoi menjëherë një copë letër dhe, me dorën e tij, shkroi se qeverisë greke nuk do t’i jepej trajtim preferencial lidhur me territoret dhe në asnjë drejtim tjetër. Se ai interesohej njësoj për të gjithë amerikanët, pavarësisht nga origjina, dhe se për popujt që vuanin nën komunizëm kishte një interes të veçantë.

Është gjithnjë e vështirë të llogaritet se sa ndikim kanë vërtet takime të tilla, se ku mbaron realiteti dhe ku fillon legjenda, por kjo mund të thuhet për çdo përpjekje të ngjashme.

E vërteta është se diktatura e kolonelëve nuk guxoi të provonte fatin e saj në Shqipëri. Por fakti që, pak kohë më pas, ndërmorën një aventurë ushtarake jashtë kufijve të Greqisë, në Qipro, duke provokuar ndërhyrjen e Turqisë dhe ndarjen e ishullit që vazhdon edhe sot, dëshmon se nuk ishte aspak fantazi një sulm ushtarak ndaj Shqipërisë.

Nga ana tjetër, dështimi i ndërhyrjes në Qipro solli edhe rrëzimin e regjimit dhe kthesën e Greqisë drejt demokracisë.

Takimi me Nixon ndodhi përpara se shqiptarët të mësonin artin e lobimit modern në SHBA, duke e bërë Ekremin një udhërrëfyes në këtë drejtim.

Kur shqiptaro-amerikanët themeluan Ligën Qytetare dhe pastaj Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Ekrem Bardha do të ishte një nga mbështetësit kryesorë dhe një veprimtar shumë aktiv.

Në vitin 1998, bleu gazetën “Illyria” në New York, zërin më të fuqishëm të shqiptaro-amerikanëve në ato vite kritike, për të vazhduar punën e nisur nga Harry Bajraktari. Në vitin 2006, stafetën e mori Vehbi Bajrami, që vazhdon traditën edhe sot e kësaj dite.

Në verën e vitit 1999, udhëtova me Dalip Grecën nga Tirana për të vizituar redaksinë e gazetës “Illyria”, për të cilën më pas filluam punë.

Ndalesën e parë e bëmë në Detroit, ku Ekrem Bardha na priti në shtëpinë e tij. Në një nga muret e zyrës, ishte në kornizë edhe letra me dorëshkrimin e Presidentit Nixon.

Por, ndonëse është përmendur shpesh, nuk e kam parë që ta vendosë njeri atë takim në kontekstin historik të kohës.

Nga reliket e asaj kohe ruante edhe një portret me laps të Presidentit Nixon, dërguar nga ai vetë pas takimit që kishin bërë.

Që atëherë, ai i ka takuar pothuajse të gjithë presidentët amerikanë dhe shumë politikanë të tjerë të shquar amerikanë.

Kanë qenë momente kulmore të një jete të gjatë dhe aktive, nga e cila ka shumë për të mësuar.

Pak ditë më parë, në Detroit, shumë shqiptaro-amerikanë të njohur, që kanë qenë aktivë në periudhën vendimtare të fundshekullit të kaluar, u mblodhën për të nderuar Ekrem Bardhën me rastin e botimit të librit të tij të dytë.

Në Michigan, tashmë në moshën 94-vjeçare, Ekrem Bardha ishte në qendër të një veprimtarie të madhe që mblodhi bashkë disa nga figurat kryesore të komunitetit, shumë prej të cilëve kanë bërë histori në mbështetje të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe ndryshimit të situatës së shqiptarëve në mbarë Ballkanin.

Takimi në Kishën e Shën Palit, në Michigan, synonte të prezantonte librin e dytë nga Ekrem Bardha, “E VËRTETA: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, por u kthye në një ceremoni të madhe për të nderuar figurën e këtij atdhetari shqiptar.

Mes të ftuarve kishte një numër figurash të komunitetit, bashkëpunëtorë të Ekrem Bardhës në vitet 1980–2000 e më vonë.

Kjo gjeneratë veprimtarësh shqiptaro-amerikanë ka një meritë të madhe historike në angazhimin amerikan në Ballkan, që kulmoi me ndërhyrjen ushtarake për çlirimin e Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj në vitin 2008, për rritjen e ndikimit të komuniteteve shqiptare në rajon dhe për hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Megjithë nderimin dhe njohjen që u është bërë figurave të këtij brezi, vlera dhe rëndësia e punës së tyre do të vijë duke u rritur.

By Editor