Takimi i tretë brenda një jave mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa rezultate konkrete sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit.
Pas takimit, Kurti e cilësoi bisedën si konstruktive, por theksoi se ende nuk ka një zgjidhje. “Kur të ketë diçka të re, do t’ju njoftojmë”, u shpreh ai.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se takimet me partitë parlamentare janë intensive dhe synojnë gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme. Ajo nuk pranoi të flasë për emra konkretë.
Abdixhiku ka deklaruar më herët se nuk ka pasur propozime zyrtare me nënshkrime për kandidat, duke shtuar se në këtë fazë LDK-ja nuk ka qëndrim refuzues ndaj askujt, përfshirë edhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, për kandidim nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota në dy rundet e para ose 61 vota në rundin e tretë. Në rast të dështimit për ta zgjedhur presidentin brenda afateve, vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Ndërkohë, Kurti ka pranuar se aktualisht nuk i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit dhe ka theksuar se prioritet mbetet shmangia e zgjedhjeve të parakohshme.

