Nga Sebastian Zonja
Kina dhe Rusia po thellojnë bashkëpunimin mes tyre për teknologji të rëndësishme atomike. Sipas ekspertëve kjo do të prish brenda pak vitesh ekuilibrin global të armëve bërthamore.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping njoftuan marrëveshje afatgjatë për të vazhduar zhvillimin e të ashtuquajturve reaktorë me neutrone të shpejtë.
Në dhjetor, gjigandi bërthamor i kontrolluar nga Kremlini, Rosatom Corp. përfundoi transferimin e 25 tonëve uranium shumë të pasuruar në reaktorin e parë të shpejtë të Kinës, CFR-600 – një strukturë që analistët thonë se mund të prodhojë karburant për rreth 50 koka bërthamore në vit.
Shtëpia e Bardhë ka reaguar për rastin duke thënë se bashkëpunimi bërthamor i Rusisë dhe Republikës Popullore të Kinës shkon shumë më larg sesa thjesht projekte civile.
Pavarësisht sanksioneve, Rusia është bërë furnizuesi më i madh në botë i reaktorëve bërthamorë dhe karburantit bërthamor. Reaktorët e shpejtë të Kinës bazohen në teknologjinë ruse.
Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA kanë paralajmëruar për ambiciet bërthamore të Kinës e cila kërkon të ketë mbi 1500 mbushje deri në vitin 2035, nga 400 që ka sot.
Por Kina mohon këto zëra dhe thotë se po e ndërton këtë program që të bëhet gjeneratori kryesor i energjisë bërthamore në botë deri në mesin e dekadës së ardhshme, për të kapërcyer amerikanët.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping përfunduan të martën raundet e bisedimeve dypalëshe, kokë më kokë dhe me delegacione. Ata nënshkruan një deklaraë të partneritetit “pa kufij”, ku thuhet se të dy vendet do të forcojnë “bashkëpunimin strategjik” në skenën ndërkombëtare në politikë, energji, ekonomi, tregti dhe ushtri.
Pas bisedimeve, Putin dhe Xi mbajtën një konferencë shtypi në të cilën presidenti rus tha se deklarata e përbashkët e nënshkruar pasqyron natyrën e marrëdhënieve kino-ruse, të cilat janë “në nivelin më të lartë në të gjithë historinë e tyre”. Ai shtoi se të dy vendet “ndajnë lidhje të forta të marrëdhënieve fqinjësore, mbështetje dhe ndihmë reciproke dhe miqësi mes popujve”.
Xi tha: “Marrëdhëniet ruso-kineze po demonstrojnë dinamikë të shëndetshme dhe të qëndrueshme zhvillimi. Besimi i ndërsjellë politik midis vendeve tona po ndërtohet, interesat e përbashkëta po shumohen, popujt tanë po afrohen më shumë”.
Lufta në Ukrainë
Rusia dhe Kina kritikuan rolin që po luan Perëndimi (SHBA dhe NATO) në luftën në Ukrainë.
“Të dy palët theksojnë se për të zgjidhur krizën në Ukrainë, duhet të respektohen shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve. Ne besojmë se shumë nga dispozitat e planit të paqes të paraqitura nga Kina janë në përputhje me qasjet ruse dhe mund të merren si bazë për një zgjidhje paqësore”, tha Putin.
Energjia
Moska dhe Pekini “do të mbrojnë së bashku sigurinë ndërkombëtare të energjisë (përfshirë infrastrukturën kritike ndërkufitare) dhe stabilitetin e zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit energjetik”, sipas tekstit të Kremlinit.
Putin tha se Rusia ishte e gatshme të rrisë furnizimet me naftë dhe gaz për të përmbushur kërkesën në rritje të Kinës për burime energjetike, duke theksuar se Kina është blerësi më i madh i naftës në Rusi.
Tregtia dhe ekonomia
Putin përshëndeti pozicionin e Kinës si partneri kryesor tregtar dhe ekonomik i Rusisë. Të dy vendet planifikojnë të zgjerojnë shkallën e tregtisë dypalëshe.
Ushtria
Në deklaratë thuhej se Moska dhe Pekini do të ndihmojnë njëri-tjetrin të mbrojnë interesat dhe kufijtë e tyre. Të dy vendet do të “sigurojnë mbështetje reciproke në lidhje me çështjet e mbrojtjes së interesave thelbësore të njëri-tjetrit, kryesisht sovranitetin, integritetin territorial, sigurinë dhe zhvillimin”.
Të dy vendet “i bëjnë thirrje SHBA-së që të ndalojë minimin e sigurisë ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe stabilitetin strategjik global në interes të sigurimit të epërsisë së saj të njëanshme ushtarake”.
Armët nukleare
Moska dhe Pekini bien dakord që fuqitë bërthamore nuk duhet të vendosin armë bërthamore jashtë vendit. “Të gjitha fuqitë bërthamore nuk duhet të vendosin armë bërthamore përtej territoreve të tyre kombëtare dhe duhet të tërheqin të gjitha armët bërthamore të vendosura jashtë vendit”, thuhet në deklaratë.
Deri më sot, trekëndëshi strategjik SHBA-Kinë-Rusi ka qenë pikëmbështetje e gjeopolitikës globale. Prej kësaj deklarate, ngjan se historia do të marrë rrjedhë tjetër. Rusia me Kinën po koordinohen në euroazi, ndërkohë që amerikanët po koordinojnë aleanca ushtarake në Atlantik dhe Paqësor për të rrethuar dy fuqitë.
Administrata e Bidenit e ka kornizuar këtë ndarje si betejë mes demokracisë dhe autokracisë. Skemë të cilën e kemi parë më herët gjatë luftës së ftohtë, beteja mes komunizmit dhe kapitalizmit.
Uashingtoni po përgatitet për një garë afatgjatë me Kinën dhe shpesh e sheh luftën në Ukrainë si fillimin e kësaj beteje të madhe. Pekini e sheh konfliktin ndryshe, duke e ndjerë veten të shtyrë nga armiqësia e SHBA-së për të mbështetur Putinin, pavarësisht dyshimeve për veprimet e tij. Moska ndërkaq na tregoi se nuk është ajo superfuqia që pretendonim dhe kishim lexuar.
Ky trekëndësh strategjik SHBA-Kinë-Rusi mori formë për herë të parë në Luftën e Ftohtë kur Kina, së pari, krijoi një aleancë me Bashkimin Sovjetik kundër amerikanëve, pastaj amerikanët krijuan aleancë me Kinën kundër Bashkimit Sovjetik.
Me rënien e komunizmit u pa një afrim i amerikanëve me Rusinë, por jo rreshtim SHBA-Rusi kundër Kinës. Kjo situatë gjeopolitike nuk u materializua kurrë.
Aspekti i vetëm që i ka bashkuar të treja superfuqitë ishte lufta kundër terrorizmit dhe tregtia.
Rënia e komunizmit në lindje, hapi një botë tjetër për Kinën dhe Amerikën. Kina u bë krahu i punës, Rusia furnizues kryesor i mineraleve dhe lëndëve djegëse ndërsa Shtetet e Bashkuara kishin kapital, teknologji dhe “knoë hoë”.
Ngjan se gjithçka mori fund pas krizës financiare globale të vitit 2008. Në të treja vendet, pabarazia e thellë e ndjekjes së një modeli të egër kapitalist, pa asnjë kriter, solli turbulenca të forta politike. Kriza solli në jetë, ose u dha megafon, zërave të margjinalizuar nën globalizimin trepalësh amerikano-ruso-kinez – nativistët, nacionalistët, proteksionistët filluan të flisnin dhe për shumë gjëra kishin të drejtë. E kishin kapur dashin për brirësh dhe populli i donte.
Vetë globalizimi përgatiti rrugën për një epokë të re të konfliktit të fuqive të mëdha.
Globalizmi që menduam se do na çonte në një botë më të mirë, ngjan se po na çon në një botë më konfliktuale, më të rrezikshme. Tregtia u pa si një instrument i rëndësishëm për të çuar përpara globalizmin. Sot shohim se aty ka një fushëbetejë të madhe me sanksione mes tre superfuqive – Amerikë, Kinë, Rusi. Palët mundohen të kontrollojnë sa më shumë teknologji.
Po ashtu, emigracioni dhe lëvizja e lirë që shihej si mundësi e artë për të ndërtuar një “fshat global”, sot është kthyer në makth për vendet e pasura të BE-së, Amerikën dhe Australinë. Këto vende që e kanë promovuar me ngulm lëvizjen e lirë sot po ngrenë mure dhe po financojnë mekanizma për të parandaluar emigarcionin. Ndryshimet demografike që sjellin me vete emigrantët kanë ndikuar që të shtohen ekstremet nëpër shumë vende. Ekstremi i majtë që i mirëpret nën egjidën e të drejtave të njeriut, ekstremi i djathtë që thotë se po cënohet siguria kombëtare.
Së fundmi, ministri i Jashtëm italian tha se emigracioni po përdorej si armë nga lideri rus Putin për të destabilizuar vendet e BE-së.
Interneti u pa në fillim si mjet për të bashkuar njerëzit, por sot shohim se kemi polarizim më të madh se kurrë më parë.
Themelet e globalizimit janë shndërruar në armë për vendet e fuqishme.
Lufta në Ukrainë është shumë e dhimbshme për qytetarët evropianë, sepse shpërfaq krizë filozofike, intelektuale dhe humanitare për kontinentin plak. BE-ja ka filluar dhe vijon si projekt paqeje, me qendër idenë për ta bërë luftën të pamundur. Ndërkohë, tani shohim se integrimi evropian po ecën përpara i nxitur nga lufta.
Sot, me fundin apo ridimensionimin e globalizmit, mund të themi se nuk kemi vetëm model evropian në botë. Ka shumë modele të tjera. Modeli evropian është i bukur, por ai konkurron me të tjerët në botë. Nëse Shqipëria nuk i afrohet modelit evropian, ai nuk shfaqet vetiu një mëngjes të bukur vere. Duhet punë e madhe në një botë ku modelet konkurojnë, teksa dy prej tyre i kemi shumë afër, Turqinë dhe Serbinë.
Ndërkohë, në aspektin global, Kina dhe Rusia kanë frikë nga fuqia amerikane. Udhëheqësit në të dy vendet besojnë se kufizimi i progresit të liberalizimit është i nevojshëm për suksesin kombëtar të vendit, por përballen kudroherë me leksione amerikane për demokracinë dhe të drejtat e njeriut si dhe mbështetjen që jep SHBA për revolucionet të ashtuquajtur me ngjyra.
Udhëheqësit amerikanë, ndërkohë, pas disfatës në Irak, dështimin në Afganistan, krizën e rëndë të vitit 2008 si dhe rënien e idesë absurde të “fundit të historisë” të propaganduar nga Fukujama dhe të tjerë liberal, u përballën me humbjen e autoritetit jashtë Amerike. Duhej gjetur dikush për t’u fajësuar. Myslimanët nuk ishin më kërcënim. Lindja e mesme ishte bërë çorbë. Duhej një armik tjetër. Atë e gjetën në Kinë. E kush tjetër më mirë se një populist si Trumpi mundej t’i gjente një armik të ri që kishte të gjitha fajet.
Kina po kërcënon sepse, siç tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken, është i vetmi vend që nuk pranon autoritetin e SHBA-së. Administrata Biden aktualisht po ndërton një strategji të madhe antiruse dhe antikineze.
Duke marrë parasysh mësimin e viteve 1950, si politikan kalibri, që e njeh diplomacinë dhe historinë, Bideni u përpoq fillimisht të largonte Rusinë nga Kina. Në qershor 2021, Biden tha për Putinin: “Unë mendoj se gjëja e fundit që ai dëshiron tani është një Luftë e Ftohtë”.
Bideni e kishte gabim. Në vend që të rimendonte strategjinë, administrata thjesht bashkoi Rusinë dhe Kinën, duke i quajtur forca kryesore që drejton autoritarizmin në mbarë botën dhe bëri gabimin duke i bashkuar.
Ky dështim për të dalluar Kinën nga Rusia e ka çuar politikën e SHBA-së në qorrsokak, duke i shtyrë të dyja të rreshtohen bashkë kundër kërcënimit amerikan.