Propozimi “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” është hedhur për diskutim publik, ndërkohë që pritet të jetë ndër projektligjet e para që do të hapë sesionin e ri parlamentar në shtator.

Referuar propozimit paraprak, ky ligj përjashton nga detyrimi për të paguar taksë për pasurinë disa kategori.

Përjashtohen nga taksa e pasurisë, pasuritë e mëposhtme:

a) Pronat shtetërore;

b) Pronat fetare;

c) Ndërtesat e papërfunduara, që në 30 nëntor të vitit, para vitit tatimor, janë duke u ndërtuar në përputhje dhe brenda afatit të ndërtimit të përcaktuar në lejen e ndërtimit;

ç) Strukturat akomoduese, “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit, që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”;

d) Njësitë rezidenciale të ndërtesave që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara;

dh) Njësitë rezidenciale të ndërtesave në pronësi ose posedim të kryefamiljarëve, të deklaruara si vendbanim, kur këta të fundit trajtohen me ndihmë ekonomike;

e) Njësitë rezidenciale të ndërtesave, të deklaruara si vendbanim, në pronësi ose posedim të kryefamiljarëve që përfitojnë vetëm pension pleqërie, pension invaliditeti apo pension social, kur familja e tyre përbëhet vetëm nga pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë;

ë) Banesat sociale në pronësinë e pushtetit vendor dhe njësitë e ndërtesave që në bazë të marrëveshjeve me Bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale; dhe

f) Njësitë e ndërtesave që janë pasuri kulturore nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore dhe që përdoren vetëm për qëllime jofitimprurëse.

2. Si përjashtim ndaj pikës 1, shkronja “a” e këtij neni, përjashtimi nga taksa e pasurisë nuk zbatohet për:

a) Pronat shtetërore që janë dhënë me qira, enfiteozë ose përmes ndonjë forme tjetër përdorimi, te personat privatë; dhe

b) Parcelat në pronësinë e shtetit, ku janë ndërtuar një apo më shumë njësi të ndërtesave pa leje ose të legalizuara, nga posedues ose pronarë të tjerë të ndryshëm nga pronarët e parcelave.

3. Në rastet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, pasuritë e paluajtshme klasifikohen në kategori të tjera të vlerave dhe pronave, në përputhje me rregullat që përcaktohen në metodologjinë që miraton Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit 18, pika 5, të këtij ligji.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *