Emigracioni është një fenomen botëror, por kur analizohet në raport me numrin e popullsisë, dukuria nxjerr në pah vendet me prirje për tu boshatisur dhe i tillë është edhe rasti i Shqipërisë. Eurostat dhe qeveria britanike (.gov.uk) raportojnë se vendi ynë renditet i pari në botë për numrin e azilkërkuesve në raport me numrin e popullsisë.
Në Shqipëri, për çdo 1000 banorë kanë aplikuar për azil 5 banorë. (2.4 në vendet e Bashkimit Europian dhe 2.6 në Mbretërinë e Bashkuar) .Shqipëria lë pas Gjeorgjinë me 3.9 aplikime për 1000 banorë, nga të cilat 3.7 janë në vendet e Bashkimit Europian. Po ashtu Shqipëria lë pas dhe Sirinë, që ka 3.1 aplikime për një mijë banorë, nga të cilët 2.9 janë në shtetet e BE-së.
Kërkesat për azil vijnë nga vendet në konflikt si Siria, apo nga shtete të kërcënuara nga konflikti si Gjeorgjia, pasi kërkesat për azil nga ky vend janë rritur ndjeshëm që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Në rastin e Shqipërisë, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm që pas pandemisë. Sipas të dhënave të Eurostat, për periudhën janar- gusht 2022 janë regjistruar gjithsej 6,860 aplikime për azil në BE, një rritje prej 68% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke përfshirë dhe aplikimet për azil të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, bashkë me aplikimet në vendet e BE-së, shifra shkon në 14.000 aplikime për azil nga shqiptarët.