Nga Jessi Haley

Një histori e shkurtër

Tetorin e kaluar, Annie Ernaux u bë gruaja e shtatëmbëdhjetë që fitoi Çmimin Nobel në Letërsi. Ajo është gjithashtu gruaja e parë franceze, shtetasja e gjashtëmbëdhjetë franceze, e nëntëdhjetë e gjashta evropiane dhe personi i 119-të që e fiton. Duke reaguar ndaj lajmit, Ernaux tha: “Të marr çmimin Nobel, për mua do të thotë përgjegjësi për të vazhduar…Duke folur si grua, s’më duket se ne gratë jemi të barabarta në liri, në pushtet”.
Muaj më vonë, Ernaux e formësoi ligjëratën e Nobelit rreth kësaj ndjenje përgjegjësie, duke thënë: “Nuk e shoh si fitore individuale çmimin Nobel që më është blatuar. Nuk ka të bëjë as me krenarinë dhe as me modestinë fakti që unë e shoh, në një farë kuptimi, si një fitore kolektive”.

Pohimi i Ernaux për një përkatësi kolektive për një çmim shumë individual, e përafron me gjashtëmbëdhjetë gratë e tjera që kanë fituar çmimin që nga fillimi në vitin 1901, ashtu si edhe theksi tek tensioni midis sistemit patriarkal prej të cilit rrjedh Nobeli (dhe përfaqëson) dhe pozicionit strukturor të disa prej fituesve të tij, veçanërisht të grave. Kur u pyet nëse e priste çmimin, laureatja e vitit 2013 Alice Munro u përgjigj: “Oh, jo, jo! Sepse isha grua!… Thjesht e vlerësoj shumë nderimin që më bëhet, e vlerësoj tej mase, por thjesht s’e kam menduar kështu”. Duke mësuar për fitoren e saj nga një grup gazetarësh ndërsa kthehej në shtëpi nga një vizitë në spital, tetëdhjetë e shtatë vjeçarja Doris Lessing u habit: “Para shumë kohësh më kanë thënë se nuk më pëlqenin dhe s’do ta merrja kurrë… Ata dërguan një zyrtar të veçantë për të më thënë”. E rrethuar nga kamerat e zhurmshme, Lessing premtoi: “Ju betohem se do të reflektoj në shtëpi për të gjetur disa fjali të përshtatshme, të cilat do t’i përdor tani e tutje”.

Përtej ndjenjës së hyrjes papritmas në një klub burrash dhe peshës së përbashkët që vjen me këtë hyrje, ka pak fije të dukshme lidhëse mes grave shkrimtare të Nobelit. E përbashkëta ka të bëjë me ndikimin, arritjen dhe gjininë, por ka deri diku pak për sa i përket kombësisë, zhanrit, stilit dhe përvojës. Pra, çfarë do të thotë të fitosh një çmim Nobel si grua apo për secilën fituese, në një kohë dhe vend të caktuar, të mbartësh kurorën që të sjell ky vlerësim? Dhe çfarë mund të mësojmë ne, si lexues, në kohën dhe vendet tona, nga mënyra se si këto gra, në ligjëratat e tyre të Nobelit, i japin kuptim këtij vlerësimi?

Shkrimtarët që fitojnë çmimin Nobel duhet që “në fushën e letërsisë, të kenë krijuar veprën më të shquar në një drejtim idealist”. Ky është kriteri i vendosur në testamentin e Alfred Nobelit, një suedez që ndoshta ndryshoi më shumë botën duke shpikur dinamitin. Ndonëse fusha e tij profesionale ishte shkatërrimi, ai donte që çmimi me emrin e vet të vlerësonte njerëzit, vepra e të cilëve “i ka sjellë përfitimin më të madh njerëzimit”.
Ky vendim krijon një lloj solemniteti të paqartë dhe përgjegjësi të madhe për laureatët. Grave që kanë fituar çmimin e letërsisë u janë caktuar role si “rrëfimtare epike e përvojës femërore” ose “kundërshtare e aparteidit”. Kuptohet se ato përfaqësojnë kombe, ideologji dhe breza të veçantë. Në të njëjtën kohë, duhet të na përfaqësojnë të gjithëve (veçanërisht të gjitha gratë); ata duhet, me fjalët e tyre, të ndriçojnë universalen nëpërmjet të veçantës.
Laureatët zgjidhen nga një komision, anëtarët e tij janë anëtarë të Akademisë Suedeze, një grup prej tetëmbëdhjetë profesionistësh letrarë (De Aderton, “Të Tetëmbëdhjetët”) me mandat të përjetshëm. Akademia u krijua nga Mbreti Gustav III në vitin 1786, kështu që ajo i paraprin Fondacionit Nobel për 115 vjet. Komisioni zgjodhi gruan e parë fituese të Nobelit tetë vjet pas ekzistencës së çmimit. Kjo ndodhi pesë vjet përpara se të zgjidhnin një grua në radhët e tyre (e njëjta grua në të dyja rastet: Selma Lagerlöf, e cila mori hua nga realizmi, por iu kthye romantikes në trillimet e saj folklorike).
Alfred Nobel zgjodhi Akademinë Suedeze si arbitrin e çmimit të letërsisë, ashtu siç zgjodhi grupet për të përzgjedhur laureatët nga kategoritë e tjera (kimi, paqe, mjekësi, ekonomi). Udhëzim i vetëm për komisionin ishte që, në përzgjedhjen e laureatëve, “të mos merret parasysh kombësia, por që çmimi t’i jepet personit më të denjë, pavarësisht nëse është ose jo skandinav”.

Pra, me udhëzime minimale, por fisnike, një manjat armatimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë la trashëgim një çmim që ende frymëzon debate të ashpra, festime të mëdha dhe baste në internet në të gjithë globin. Natyrisht, gjeografia dhe politika ndërkombëtare janë të lidhura pazgjidhshmërisht me të gjitha çmimet Nobel, dhe letërsia nuk përbën asnjë përjashtim. Shumë fitues evropian, shumë të bardhë, shumë burra, fitues shumë kontradiktorë ose shumë i ndikuar nga baticat iluzore kulturore – kritikat ndaj zgjedhjeve të komisionit janë të shumta çdo vit.

Përmbledhjet se cilët janë laureatët dhe nga vijnë ata mund të arrijnë te më shumë njerëz sesa veprat e shkruara të fituesve (përveç rastit të Bob Dylan), duke e bërë identitetin dhe kombësinë një pjesë kryesore të çdo çmimi.
Megjithëse Selma Lägerlof fitoi në vitin 1909, gati gjysma e totalit të çmimeve për gratë janë përqendruar vetëm në tetëmbëdhjetë vitet e fundit. Shumica e laureateve gra janë nga Evropa, si dhe shumica e laureateve të letërsisë në përgjithësi. Autorja e parë latino-amerikane që fitoi ishte një grua (poetja kiliane Gabriela Mistral, çmimi iu dha në vitin 1945), dhe mbetet e vetmja grua latino-amerikane që ka fituar. Romancierja amerikane Toni Morrison është e vetmja grua me ngjyrë e njohur deri më sot, dhe grupi i fitueseve mbetet kryesisht i bardhë. Për sa i përket përvojës së jetuar, fituesit janë përballur me urinë, luftën, shpërnguljen, romancën e paligjshme, racizmin, amësinë, prestigjin, talljet dhe më shumë më tepër.

Përsëri, çfarë do të thotë për një grua të fitojë Çmimin Nobel në Letërsi, për jetën dhe veprën e shkrimtares? Për disa, si bjellorusja Svetlana Alexievich (krijuesja e “romanit dokumentar”) dhe për poeten dhe romancieren austriake Herta Müller, do të thotë papritur të bëhesh e dukshme: dalje në gazeta, ribotime, përkthime të reja. Për të tjerët (Lessing, Morrison dhe romancieren afrikano-jugore Nadine Gordimer), është një gur themeli në një karrierë monumentale që njerëzit e kanë parashikuar prej vitesh.

Për të gjitha ato, kjo do të thotë afërsisht një milion dollarë si para të çmimit dhe të paktën një rritje e përkohshme në shitjet e librave. Dhe kjo është ndoshta një përvojë e re për fituesin. Miqtë e Wisława Szymborska-s e quajtën fituesen e saj “tragjedia e Nobelit”, sepse poetja polake me jetë krejt private nuk ishte në gjendje të shkruante për vite të tëra pas dyndjes së vëmendjes ndaj saj. Ndërkohë, Morrison mblodhi miqtë për të festuar me të në Stokholm. “Më pëlqen çmimi Nobel”, tha ajo. “Sepse ata dinë të organizojnë një festë”. Fitimi i çmimit në vitin 2015 nuk e mbrojti Alexievich-in nga mërgimi i saj të dytë në vitin 2020. Duke u përballur me rrëmbimin dhe arrestimin, ajo u largua – duke lënë pas dorëshkrimet, shtëpinë dhe një pjesë të botës, historinë e së cilës ajo shpiku një zhanër të ri për të treguar.
Pavarësisht se çfarë do të thotë njohja për këto gra personalisht, emrat e tyre gjithmonë do të shoqërohen me frazën “fituese të çmimit Nobel” sa herë që shfaqen në shtyp. Pavarësisht se çfarë kuptojnë lexuesit e ardhshëm për historinë, procesin dhe statistikat e çmimit Nobel, ky emërtim ka të ngjarë t’u sugjerojë atyre diçka të rëndësishme për veprën e shkrimtarëve. Dhe pa marrë parasysh se nga është shkrimtarja, pavarësisht se për çfarë apo për kë shkruajnë, në pranimin e çmimit ato të gjithë pranojnë një detyrë të madhe: gjetjen e “fjalive të përshtatshme” për të mbajtur një ligjëratë (ose, në rastin e Munro-s, një bisedë) që nyjëton rëndësinë e letërsisë dhe kuptimin e veprës së tyre jetësore.

Kur i lexon së bashku, reflektimet e grave fituese të Nobelit zbulojnë një larmi idesh rreth asaj se çfarë mund të bëjë letërsia dhe ndjenjën e përgjegjësisë që ka zbatuesi i tyre ndaj këtyre ideve. Ndërsa ligjëratat ndryshojnë shumë në përmbajtje – nga mësimet konkrete politike të Lessing-it dhe Gordimer-it deri te përsiatjet më të mëdha abstrakte të Szymborska-s, te fabulat personale (Müller) dhe universale (Morrison) – secila prej tyre përmban vëzhgime që janë njëherësh shumë të ndërlikuara dhe plotësisht të vërteta.
Duke u treguar e drejtëpërdrejtë, tipike për të, “mjeshtre e tregimit të shkurtër bashkëkohor” Munro pohon se e dinte që mund të shkruante për jetën kanadeze në qytetet e vogla, sepse: “Unë mendoj se çdo jetë mund të jetë interesante, çdo mjedis mund të jetë interesant”.

Morrison-i, romanet e së cilës hulumtojnë kaq shumë aspekte të jetës së zezakëve amerikane me gjuhë sa të përpiktë aq edhe poetike, argumenton se “gjuha nuk mund të arrijë ta shpreh jetën kurrë një herë e përgjithmonë. As nuk duhet… Forca , lumturia e saj qëndron në afrimin drejt të parrëfyeshmes”.

Lessing, duke përdorur shumë shpesh një ton thumbues (ndonjëherë cinik) në romanet e saj të politikës së mllefosur, kolonializmit dhe të ardhmes së imagjinuar, është shpresëdhënëse: “Janë historitë tona ato që do të na rikrijojnë, kur të jemi të tronditur, të lënduar, madje të shkatërruar. Është rrëfimtari, krijuesi i ëndrrave, krijuesi i miteve, ai që është feniksi ynë, ai që na përfaqëson në më të mirën tonë dhe në mënyrën më krijuese”.

Vepra e Müller-it përshkruan skena të brendshme, impresioniste të jetëve të mbytura nën diktaturën e Nikola Çausheskut në Rumani. Ajo shpjegon: “Në fund të fundit, sa më shumë fjalë të na lejohet të përdorim, aq më të lirë bëhemi”. “Në gjuhën e poezisë, ku çdo fjalë peshohet, asgjë nuk është e zakonshme apo normale… asnjë ekzistencë e vetme, ekzistenca e askujt në këtë botë”. Vetëm Szymborska, e cila dikur shkroi “Pas çdo lufte/dikush duhet të pastrohet”, mund të jetë kaq e butë dhe kaq e vendosur në të njëjtën kohë.
Gordimer, romanet e së cilës gërmojnë në rrënojat njerëzore të shkaktuara nga racizmi i institucionalizuar dhe ciklet e dhunës, pohon se “të shkruarit është gjithmonë dhe njëherësh një hulumtin i vetes dhe i botës; i qenies individuale dhe kolektive”.

Ligjërata e Nobelit e çdo shkrimtari përfshin diçka që mund të thuhet për veprën e grave të tjera që kanë fituar, diçka që mbledh veprën individuale nën një ombrellë të “dobisë për njerëzimin”. Çdo shkrimtare është e aftë, në mënyrën e vet (duke reflektuar stilin, kohën, vendin dhe politikën e saj), të shpjegojë se si njohja e veprës së saj është pjesë e një historie të gjatë dhe të përbashkët. Por nëse ndonjë nga ligjëratat përmban diçka të ngjashme me një slogan, ajo duhet të jetë e Alexievich-it (e përshtatshme për një shkrimtare, vepra e të cilës, në thelbin e saj, synon të thurë këndvështrime të ndryshme në një tërësi të ndërlikuar). Në ceremoninë e marrjes së çmimit, ajo u kujton lexuesve dhe shkrimtarëve: “Unë nuk qëndroj vetëm në këtë foltore… Ka zëra rreth meje, qindra zëra”.

Shënim i përkthyesit: Kjo është parathënia e përmbledhjes “Zërat rreth meje: ligjëratat e Nobelit”, (2023) e cila përmban ligjëratat e plota nga Svetlana Alexievich, (2015), Nadine Gordimer (1991), Doris Lessing, (2007), Toni Morrison (1993), Herta Müller (2009), Alice Munro dhe Wislawa Szymborska (1996).
Gratë fituese të Nobelit për Letërsi janë: 1. Selma Lagerlöf, Nobel 1909, Suedi 2. Grazia Maria Deledda, Nobel 1926, Itali 3. Sigrid Undset, Nobel 1928, Norvegji, 4. Pearl Buck, Nobel 1938, SHBA, 5. Gabriela Mistral, Nobel 1945, Kili, 6. Nelly Sachs, Nobel 1966, Gjermani, 7. Nadine Gordimer, Nobel 1991, Afrikë e Jugut, 8. Toni Morrison, Nobel 1993, SHBA, 9. Wisława Szymborska, Nobel 1996, Poloni, 10. Elfriede Jelinek, Nobel 2004, Austri, 11. Doris Lessing, Nobel 2007, Britani e Madhe, 12. Herta Müller, Nobel 2009, Rumani, 13. Alice Munro, Nobel 2013, Kanada, 14. Svetlana Alexievich, Nobel 2015, Ukrainë, 15. Olga Tokarczuk, Nobel 2018, Poloni, 16. Louise Glück, Nobel 2020, SHBA, 17. Annie Ernaux, Nobel 2023, Francë

Përktheu: Granit Zela

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *