Nga Abdulla Diku
Në periudhën më të madhe të vitit, vendi përballet me zjarre të shumta. Përveçse në pyje e kullota, zjarret janë mjaft problematike në tokat bujqësore, veçanërisht gjatë verës ku edhe fluksi i vizitorëve është maksimal. Zjarret shpeshherë ndizen edhe në afërsi të institucioneve të ndryshme, rrugëve dhe qendrave të banuara duke rrezikuar seriozisht jetën dhe pronat e gjithëkujt.
Për të regulluar këtë handikap ligjor, insitutcional dhe social, kemi ndërmarrë një nismë për të propozuar një akt ligjor që të ndalojë njëherë e mirë këto shfaqje të shëmtuara, dëmtuese të gjithçkaje mbi e nën tokë, ashtu siç kanë bërë të gjitha vendet evropiane.
Disa nga arsyet e kësaj nisme janë si vijon;
• Zjarret e varfërojnë dhe degradojnë tokën, duke ulur dukshëm rendimentin. Kësisoj ka kosto të shtuar financiare për fermerët të cilët duhet të blejnë gjithnjë e më shumë plehra kimike.
• Fluksi më i madh i turizmit në vend ndodh gjatë periudhës së verës. Mirëpo, gjatë kësaj periudhe (Mars-Nëntor) fermerët zgjedhin mënyrën më të shkurtër, më anti-mjedisore dhe më të rrezikshme për jetën dhe pronën – djegien e tokave bujqësore.
• Zjarri krijon një imazh tejet negativ për vendin. Veçanërisht vizitorët e huaj të cilët nuk janë mësuar me pamje të tilla me zjarre e tym ngado, nuk e pranojnë që në periudhën më të rëndësishme të vitit ku ata duan të shijojnë pushimet, të përballen me ato pamje që ngjajnë si zona lufte.
• Zjarret dekurajonë çdo lloj vizitori që dëshiron të vijë në vend. Në këtë mënyrë imazhi i vendit në sytë e vizitorëve të huaj bëhet tërësisht negativ.
• Është e rrezikshme për shendetin, pasi zjarret në pamundësi për tu kontrolluar, kanë rezultuar fatale edhe për vetë personat duke ju marrë jetën.
• Zjarri përveçse tokave bujqësore që digjen, rrezikon edhe pronat e tjera përreth apo në afërsi, duke i djegur ato, përfshirë edhe banesat apo rrezikuar gjithçka tjetër përreth. Shumë zjarre në pyje vijnë nga djegia e tokave bujqësore.
• 20-40% e zjarreve në pyje e kullota vijne si pasojë e djegies së tokave bujqësore.
• Zjarret janë një problem i madh mjedisor, duke ndotur jo vetëm zonën ku ndodh djegia, por edhe atmosferën në përgjithësi, përmes shkarkimit të gazeve serë (CO2)
• Zjarret bëhen shkas për bllokimin e rrugëve apo aksidente rrugore. Djegia e tokave në afërsi të akseve rrugore kufizon pamjet dhe rrezikon jetën e drejtuesve të mjeteve dhe udhëtarëve.
• Zjarret, kështu siç shfaqen në Shqipëri, krijojnë imazhin e një vendi i cili nuk kontrollon dot territorin e tijë.
• Zjarret janë shkatërruse të mjedisit tonë, florës dhe faunës, të gjithçkaje mbi tokë.
• Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit e kanë të pamundur menaxhimin e situatave të zjarreve në tokat bujqësore në verë pasi zjarret në pyje e kullota janë gjithnjë shqetësim.
Një grup specialistësh propozojnë që të hartohet një ligj ose së paku VKM në mënyrë që edhe Shqipëria ta ndalojë këtë praktikë mjesjetare të të sjellurit me tokën, dhe të përmirësojë imazhin e sajë në sytë e vizitorëve, veçanërisht gjatë verës.
Akti ligjor nuk ka kosto eknomike zbatimi për strukturat ligjzbatuese. Po ashtu, nuk ka ksoto as për fermerët, pasi ekzistojnë alternativa për përpunimin dhe kthimin e mbetjeve të të korrave apo pemtoreve/vreshtave në bio-energji, pra nga një element ndotës, në një element përfitues për fermerin dhe vendin. Aq më tepër që ne jemi tashmë në prag të krizës së madhe energjitike.
Shpresojmë që Ministria e Bujqësisë ta konsiderojë seriozisht nismën e ndërmarrë.