Nga Xhafer Sadiku
Nëse do ta njihnim mirë historinë tonë, shumë ngjarje të dhimbshme që na kanë ndodhur mbase do të ishin shmangur, do të reagonim më të vendosur e të bashkuar dhe pasojat do të ishin më të vogla.
Një nga masakrat më të përgjakshme kundër shqiptarëve myslimanë, është ajo e Bihorit, ku çetnikët e vojvodës Pavle Jurishiç, oficerit të Drazhe Mihajlloviçit, në 5-6 janar 1943, masakruan mijëra burra, gra e fëmijë.
• Si ndodhi masakra e Bihorit
Fshatrat shqiptare të Bihorit, në provincën e Senicës dhe të Bjellopoljes, gjatë pushtimit italian (1939-1943), përfshiheshin në Zonën neutrale, midis Malit të Zi e Shqipërisë, zonë e cila nuk varej as nga administrimi malazias dhe as nga ai shqiptar. Mbrojtja e banorëve të zonës neutrale duhej të bëhej nga repartet e ushtrisë italiane në Beranë dhe Rozhajë.
Në 4 janar 1943, afër katundit Gubavaç, u dukën afro 500 çetnikë, të cilët kaluan lumin duke marrë drejtimin e Koritës. Fshati, i alarmuar, njoftoi menjëherë komandantin e repartit të ushtrisë italiane në Bjellopolje dhe ky dërgoi një togë ushtarësh në Gubavaç. Ata u thanë fshatarëve: “këta janë njerzit t’onë, pra nuk duhet qitun pushkë kundër tyne”. Ushtarët nuk qëndruan në katund, por u kthyen brenda ditës në Bjellopolje.
Fjalët e ushtarëve nuk e qetësuan popullsinë kështu që, gratë, vajzat, pleqtë dhe fëmijët u nisën pas ushtarëve dhe shkuan në qytet. Në katundin Gulavaç mbetën vetëm burrat.
Po atë ditë dhe gjithë natën, çeta të tjera çetnikësh kaluan lumin në Volovad. Në orën dy të mëngjesit të 5 janarit, filluan masakrat në të gjitha katundet ku çetnikët ishin shpërndarë gjatë natës. Çetnikët i kishin organizuar pritat në mënyrë që kush të dilte nga shtëpia, të binte nën plumbat e armëve të zjarrit. Për gra dhe fëmijë ata përdorën më shumë thikat e bajonetat.
Vetëm në datat 5 e 6 janar, u identifikuan të masakruar, 3721 burra, gra e fëmijë, ndërsa 634 të tjerë u plagosën. Pati 251 gra e vajza të përdhunuara, me qindra banorë morën arratinë në male, ndërsa më shumë se 10.000 braktisën shtëpitë dhe u drejtuan për në Bjellopolje e Pejë. Numri i të vdekurve do të shtohej me mijëra të tjerë.
• Indiferenca e ushtrisë italiane
Komanda ushtarake e Cetinjës nuk i dha rëndësi ngjarjes. Sipas popullsisë shqiptare, ajo nuk mori ndonjë masë kundër fajtorëve; nuk dërgoi menjëherë në vendin e ngjarjes forca ushtarake apo të karabinierëve që të ndiqnin fajtorët, të ndalonin grabitjet nga ana e malazezëve dhe të hetonin shkaqet.
Vetëm pas dy-tre ditësh, komanda në fjalë lajmëroi autoritetet në Tiranë “se nuk ka kurrëgjë”.
Me interesimin e “Lidhjes Popullore” të Mitrovicës, më 9 janar, komanda ushtarake e Bjellopoljes informonte Legatën italiane në Beograd se “mbretëron qetësi e plotë ndër ato vise”.
Në të vërtetë, edhe një javë mbas kësaj date, asnjë shqiptar nuk guxonte të shkelte prapë në katundin e vet të shkretuar, “se pritej me pushkë nga malaziasit që ishin turrun të grabisin çka kishte mbetë”.
Në raportin mbi ngjarjen, theksohej:
“Popullsia shqiptare e Zonës neutrale ka vu re me shumë keqardhje se ka oficera të naltë të Ushtrisë Italiane, si Koloneli i Beranës dhe ai që është në Rozhaj, qi nuk tregojnë për popullin shqiptar as kuptim të gjanë, as ndjenja simpathije, as edhe frymë drejtësie. Një katundari të dëshpërum q’i tregoj njanit prej këtyne një fëmi të vogël të therun prej çetnikëve, ai e dëboi tue e kërcënue me revole në dorë. Popullsija shqiptare, përkundra, në çdo rast ka tregue simpathi, mikpritje, bashkëpunim dhe mirënjohje të dukëshme ndaj ushtarëve italianë”.
Raporti theksonte : “Është për tu habitur se shpesh herë, zyrat ushtarake italiane, kur flasin e shkruajnë për popullin e zonës neutrale, nuk përmendin fjalën “shqiptar” por gjithmonë thonë “musliman”, sipas zakonit serb e malazias”.
• Reagimi i popullsisë shqiptare
Kur u hap lajmi i veprës së çetnikëve, një grup burrash shqiptarë të Pejës e Rozhajt u bënë gati të shkonin në ndihmë të banorëve të Bihorit. Në dokumenta vihet në dukje se ata, “gjithmonë të bindun e t’urtë ndaj autoriteteve, i kërkuan leje Komandantit Italian që të hyjnë në Zonën neutrale. Komandanti nuk e dha lejen dhe ata iu bindën”.
Nga dokumenti në fjalë marrim vesh se: “çetat shqiptare edhe kur asht fjala për mbrojtje jo për mësymje, kërkojnë leje, nuk u epet, binden e tërhiqen. Por çetnikët e Gjurishiqit nuk kërkojnë leje, sigurisht, për të djegur katunde shqiptare dhe për t’i masakrue banorët, domethënë se punojnë mbas qejfit të vet”.
Popullsia e zonës neutrale gjykonte se: “Në mos ishte e mujtun të bashkohemi me Shqipni, përse nuk na lanë në Malin e Zi? M’u pranu provizorisht forma e veçantë e Zonës neutrale, përse nuk u vendosën forcat e nevojshme për mbrojtjen e saj? Në mos mund të sigurohej kjo mbrojtje me fuqi zyrtare, përse nuk u organizua me anë të popullit tui i dhënë armët që ka kërkue dhe i janë premtue sa herë? Në mos mund të bëhet edhe kjo, përse të mos na thuhet qartas që t’i bëjmë çajre vehtes s’onë?”
Çetnikët që prishën katundet e Bihorit dhe masakruan banorët “tue ditun të përfitojnë nga përkrahja e autoriteteve italiane – me armë, veshje ushqim e rrogë- dhe tue mos qenë nën kontrollin e plotë të tyre, kanë fitue shumë kuxim në lëvizjet që bëjnë dhe veprojnë shpesh herë si u leverdis, sikurse u provua me ngjarjen e Bihorit, tue e shpërdorue besimin që u është dhënë”.
Shqiptarët kërkonin ndëshkim shembullor të autorëve të masakrës, për të sjellë pak qetësi “ndër shpirtërat e dëshpëruar të shqiptarëve të atyre viseve. Mos-ndëshkimi ka me ua thye krejt zemrën e guximin e shqiptarëve dhe, n’anë tjetër, ka me qenë një inkurajim për çetat e Gjurishiçit për ta vazhdue në krahina të tjera shqiptare veprën që filluan në Bihor, për çfarosjen e fisit tonë ndër ato vise, sikuse e ka shpallur Drazhe Mihajlloviçi”.
Populli shqiptar i zonës neutrale, duke e vlerësuar gjendjen shumë të vështirë, pas asaj ngjarje, shprehnin dëshirën e zjarrtë për bashkimin me Shqipërinë.
___________________
) Shkrimi bazohet mbi dokumentet e AQSH (dosja e masakrës së Bihorit).