Nga Islam Lauka
Dje, në një rrëfim të gjatë në Kuvendin e Shqipërisë, KM Rama, mori përsipër, siç deklaroi ai vetë, të shtjellojë të vërtetat për Kosovën. Por, ndryshe nga sa deklaroi, rrëfimi i tij fillim e mbarim, ishte i ndërtuar mbi të pavërteta. Të tilla pati shumë, por po ndalem vetëm në disa prej tyre:
- Situatën në veri të Kosovës dhe ngecjen e procesit të dialogut, Rama i lidhi me gabimet e Albin Kurtit dhe moskoordinimin me aleatët strategjikë. E vërteta e thjeshtë është që burimi i përhershëm i tensioneve në veri dhe i ngecjes së dialogut ka qenë dhe vazhdon të jetë Beogradi, në funksion të politikës së tij të brendshme dhe si përçues i politikës dhe strategjisë ruse në rajon.
- Përkëdheljen e Vuçiçit nga perëndimorët dhe ndëshkimin e Kosovës prej tyre, përsëri, Rama e shpjegoi me qasjen e gabuar të Albin Kurtit, siç u shpreh ai, “me dhuratat politike” që, gjoja, ai i ka bërë Serbisë. E vërteta e thjeshtë, e artikuluar edhe nga studiues seriozë amerikanë, si profesorët D.Server dhe E.Joseph, është se qëndrimi i Uashingtonit dhe Brukselit ndaj Vuçiç është i ndikuar nga konflikti në Ukrainë dhe iluzioni i tyre i rremë se ai do të largohet nga Rusia dhe do të afrohet me perëndimin. Ngjarjet e fundit dëshmuan drejtësinë e vlerësimeve të qeverisë së Kosovës dhe qasjen e gabuar të Brukselit, Uashingtonit dhe Tiranës për paqësimin e Vuçiçit.
- Krahasimi i konfliktit izraelito-palestinez me Kosovën, shkencërisht, është i paqëndrueshëm, dhe, si i tillë, i pavërtetë, ndërsa politikisht është tepër i rrezikshëm për interesat shtetërore të Kosovës. E vërteta e thjeshtë është ajo që është sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010: Kosova është rast sui generis, që nuk ngjan me asnjë tjetër në botë, dhe çdo krahasim me precedentë të tjerë është abuziv.
- Deklarata e Ramës se, për arsye parimore, ai nuk do të mbështesë qendrimet e gabuara të Prishtinës zyrtare, dhe se nuk do të jetë bedel i politikave ditore të Kurtit, nuk është e bazuar në fakte. E vërteta e thjeshtë është se, kur ia do interesi, ai mbështet, jo vetëm qasjet e gabuara tëpushtetarëve të Prishtinës, por edhe qëndrimet krejtësisht antikombëtare dhe antishqiptare, siç ishte teza e ndarjes së Kosovës.
- Një e pavërtetë tjetër e madhe në rrëfimin e djeshëm të Ramës, ishte paraqitja e vetes si vazhdues i Rugovës, në raportet me komunitetin euro-atlantik. E vërteta e thjeshtë është se Edi Rama, jo vetëm nuk ka qenë, nuk është as nuk mund të jetë vazhdues i Rugovës në asnjë lloj fushe, por ai kurrë nuk e ka vlerësuar drejt rolin historik të Presidentit Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës, aq sa në vizitën e tij të parë zyrtare në Prishtinë, në vitin 2013, e injoroi plotësisht figurën e tij dhe e detyroi grupin parlamentar të LDK-së të braktisë Kuvendin. Kur u shndërrua kështu papritmas në vazhdues të Rugovës?
Është e vërtetë se Ibrahim Rugova ishte pro-perëndimor, por kjo nuk e ka penguar që, në vitet ’90, për interesat e popullit dhe të vendit të vet, të kundërshtojë edhe Uashingtonin zyrtar, kur ky i fundit i kërkonte të pranojë autonominë, brenda Serbisë, apo të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe. Pavarësisht se në atë kohë Kosova nuk ishte shtet, vetë Rugova ishte një shtetar dinjitoz dhe vizionar.
Së fundi, në rrëfimin e tij, Rama e paraqiti Kosovën me të gjitha të zezat: të vetëdobësuar, të izoluar, me vështrim nga e kaluara, në karshillëk me komunitetin euro-atlantik, ndërsa në kontrast me të, Shqipëria e udhëhequr prej tij, si “qytet vezullues” në Ballkan, si zëri më i dëgjuar dhe i respektuar nga ana e ndërkombëtarëve, në rajon.
E vërteta e thjeshtë është se, me gjithë problemet e saj, Kosova është një demokraci më e shëndetshme dhe më funksionuese se Shqipëria. Këtë e thonë të gjitha raportet e pavarura. Është e vërtetë se, aktualisht, ndaj Kosovës janë marrë disa masa ndëshkuese nga BE, por kjo ka ardhur, jo për shkak të karshillëkut të saj ndaj perëndimit, por në gjykimin tim, si pasojë e vlerësimeve të gabuara të Brukselit ndaj Kosovës. Këtë vërtetoi akti terrorist i falangave serbe në Banjskë (24.09.2023), me nxitjen dhe mbështetjen e Beogradit.
Që të jetë i besueshëm në pretendimet e tij se është zëri më i dëgjueshëm dhe më i respektuar nga ndërokmbëtarët në rajon, atëherë, si përfaqësues i një vendi anëtar të NATO-s, me të drejta të plota, le të ndërmarrë Rama nismën e nënshkrimit të Partneritetit për Paqe midis NATO-s dhe Kosovës, si dhe njohjen e kësaj të fundit nga katër vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Në qoftë se e realizon, atëherë edhe deklaratat dhe veprimet e tjera të tij do të fitojnë tjetër peshë. Por, nëse jo, atëherë ai do të na kujtojë shprehjen e vjetër, ku na ka kthyer shpesh: “fjalë, vetëm fjalë, imzot!”.