Nga Arbër Zaimi
Cilat janë pesë të përbashkëtat e rëndësishme mes ekstremistëve Reichsbürgers në Gjermani, dhe ekstremistëve të strukturave kriminale të Vuçiqit në veri të Kosovës?
Sot në Gjermani është zhvilluar një aksion i madh anti-ekstremizëm dhe anti-terrorizëm. Mbi 3000 policë janë angazhuar në mbi 1000 kontrolle, dhe si përfundim janë arrestuar 25 persona, të përfshirë në plane e konspiracione kundër rendit kushtetues. Ata i përkasin qarqeve të “Qytetarëve të Rajhut”, apo “Reichsbürgers”, një organizim i të djathtës ekstreme i cili pretendon rikthimin e Gjermanisë në regjimin e paraluftës, si perandori (Reich) me një perandor (Kaiser).
Ka disa të përbashkëta të rëndësishme mes Reichsbürgers dhe strukturave kriminale të Vuçiqit në veri të Kosovës.
1. Të dyja këto organizime nuk duan t’i pranojnë pasojat e luftërave që shkaktuan shtetet që ato mbështesin. Reichsbürgers nuk pranojnë pasojat e Luftës II Botërore të shkaktuara nga Rajhu gjenocidal hitlerian, ndërsa strukturat kriminale të Vuçiqit refuzojnë të pranojnë pasojat e Luftës Çlirimtare të Kosovës, shkaktuar nga Serbia e Madhe gjenocidale e Millosheviqit. Të dyja organizatat ëndërrojnë kthimin “në atë kohë”.
2. Të dyja këto organizime kanë lidhje me Rusinë e Putinit. Sot ndër të arrestuarit e Reichsbürgers ka patur edhe shtetas rusë, të ngarkuar me “diplomacinë” mes ekstremistëve dhe Moskës. Njësoj edhe me strukturat ekstremiste të Vuçiqit në veri të Kosovës, dhe shteti demokratik i Kosovës disa herë ka ndaluar e ka përjashtuar prej territorit agjentë të Rusisë.
3. Të dyja këto organizime kanë lidhje me ekstremin e djathtë. Reichsbürgers, dihet, e siç u përmend më lart ka lidhje me partinë AfD, ndërsa strukturat kriminale të Vuçiqit në Kosovë ideologjikisht i përkasin vijës ekstremiste së Millosheviqit, si ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, apo vijës ekstremiste të Sheshelit, si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Reichbürgers kanë brenda tyre neonazistë e skinheads, strukturat kriminale të Vuçiqit kanë brenda bashkëpunëtorë apo adhurues të paramilitarëve si Arkani.
4. Të dyja këto organizime përdorin terrorin dhe dhunën e armatosur, për të rrëzuar një shtet demokratik. Ashtu si Reichsbürgers, të përgatitur për sulm të armatosur ndaj institucioneve demokratike të Gjermanisë, ashtu edhe strukturat kriminale të Vuçiqit në veri të Kosovës vazhdimisht ndërmarrin veprime të armatosura kundër zbatimit të ligjit, luftimit të krimit, organizimit të zgjedhjeve, apo edhe kundër pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën institucionale e demokratike të Kosovës.
5. Të dyja këto organizime po përpiqen t’i realizojnë planet e tyre të mbrapshta për rrëzimin e dy shteteve demokratike, Gjermanisë dhe Kosovës, kundër dy qeverive socialdemokratike. Reichsbürgers kundër qeverisë së kancelarit Scholz nga SPD ndërsa strukturat kriminale të Vuçiqit kundër qeverisë të kryeministrit Kurti nga LVV.