Nga Sebastian Zonja
Të enjten shumë medie ndërkombëtare u çelën me dy tituj – “Izraeli gati të godasë Iranin” dhe “Agjencia për Energjinë Atomike thotë se Irani ka shkelur rregullat”. Ky është operacion i gjerë dhe i bukur propagande, i orkestruar për të bindur publikun se mund të ndodhë ndonjë gjë andej nga ata “arabët e çmendur”, ndaj duhet të jeni të përgatitur.
Ndërkohë, përtej titujve bombastikë, nëse do kërkosh më tej, gjen, për shembull, se çfarë ka thënë Kina dhe Rusia kur është hedhur për votim rezoluta në Agjencinë Atomike. Hap disa medie arabe dhe lexon njohës të rajonit se çfarë shkruajnë për rastin. Duke qenë se francezët dhe britanikët janë pak më të qartë se amerikanët për sa i përket Lindjes së Mesme, është e nevojshme të hulumtosh nëpër editoriale të medieve të tyre.
Çfarë kuptojmë?
- Donald Trampi doli nga marrëveshja bërthamore që kishte bërë presidenti Barak Obama me Iranin. I duhet një marrëveshje tjetër. Marrëveshja, sipas ekspertëve, do jetë thuajse e njëjtë, por askush nuk e di deri më sot se pse doli nga marrëveshja e parë.
- Irani, gjatë kësaj kohe, është lidhur shumë me Rusinë dhe Kinën. Këta kanë dërguar sisteme raketore dhe anti-raketore në Tehran dhe kanë lidhur marrëveshje strategjike.
- Izraeli ka interes ta dobësojë sa më shumë Tehranin, meqë ja ka prerë gjithë krahët në rajon me luftën që po bën. Gjithë tentakulat e Iranit në rajon kanë humbur peshën e tyre. Kostoja njerëzore është shumë e lartë, por aktualisht Izraeli ka vërtetuar se është lideri ushtarak rajonal.
- SHBA-të e dinë shumë mirë se po shpërtheu ky konflikt, do futen në lojë menjëherë. Logjika e “Akordeve Abrahamike” se ne largohemi nga rajoni dhe ju lëmë Izraelin si vendin që u zgjidh problemet, do bjerë, pasi do ketë riangazhim amerikan në Lindjen e Mesme.
- Me këtë krizë ekonomike që ka kapluar botën prej luftës në Ukrainë dhe pandemisë, një front tjetër në gjirin Persik do kishte pasoja për Evropën, ku do ketë dyndje të mëdha migratore; si dhe për SHBA-në, pasi që javën e parë nuk dihet çdo ndodhë me çmimin e naftës.
- Palët po ngrenë zërin dhe po thonë se do ndodhë hataja, që kur të ulen dhe të bëjnë marrëveshje, popujt respektivë të thonë shyqyr që i kemi kaq të mëdhenj liderët tanë që nuk i përulen presioneve.
- Gjatë telefonatës së fundit mes presidentit Donald Tramp dhe kryeministrit Benjamin Netanjahu, media amerikane “Axios” shkruan:
“Gjatë telefonatës së tyre 40-minutëshe, Netanjahu i tha Trampit se iranianët janë ekspertë në zvarritjen e negociatave dhe për këtë arsye duhet t’u paraqitet një kërcënim i besueshëm ushtarak. Trampi nuk u bind nga ky arsyetim. Trampi tha se iranianët janë “kokëfortë” dhe se është i frustruar me sjelljen e tyre, por mund të arrijnë një marrëveshje”. - Siç e kemi shpjeguar edhe në artikujt e tjerë, ka qasje të ndryshme që mbrujtin opinionin publik për këtë çështje të mprehtë:
Për shembull, për të kuptuar se kush po të akuzon, duhet të shohësh se kush është duke përfituar. Ndaj, pyesim se si ka mundësi që ka një ide të përgjithshme të përhapur se myslimanët janë njerëzit më të këqinj në botë?! Për të mos rënë pre e taboreve propagandistike, gjithnjë pyet veten se kush po e thotë këtë!
Konspiracionistët argumentojnë se gjithçka ndodh në kuadër të një plani të madh të shkruar në “Traktatet e Sionit”. Ndërkohë, prej dekadash, ka tre qasje të mirëargumentuara në këtë pikë:
- Xhon Mersheimer – Lobi hebre kontrollon politikën amerikane.
- Noam Çomski – Izraeli është qeni amerikan i gjahut në atë rajon.
- Keneth N Uallc – Rajoni duhet të balancojë fuqinë duke lejuar që edhe Irani të ketë armë atomike.