Televizioni shtetëror i Iranit ka raportuar se udhëheqësi i ri suprem i vendit, Mojtaba Khamenei, është plagosur gjatë sulmeve. Lajmi u transmetua edhe nga media izraelite The Times of Israel, e cila citoi raportimin e medias shtetërore iraniane.
Gjatë transmetimit, prezantuesit e televizionit shtetëror e përshkruan Khamenein si një “xhanbaz”, një term që përdoret për personat që janë plagosur nga armiku gjatë përballjeve ushtarake.
Sipas mediave ndërkombëtare, plagosja dyshohet të ketë ndodhur gjatë konfliktit aktual që mediat iraniane e kanë quajtur “Lufta e Ramazanit”. Megjithatë, televizioni shtetëror nuk dha detaje të mëtejshme për rrethanat apo për shkallën e plagëve.
Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur në publik që nga fillimi i luftës. Emërimi i tij si udhëheqësi i ri suprem i Iranit u bë i ditur gjatë natës nga mediat shtetërore, pas zhvillimeve të fundit në konfliktin që ka përfshirë vendin.

