Nga Sebastian Zonja
Që në krye të herës ka pasur një shqetësim për lidhjen mes progresit moral dhe atij teknologjik. Edhe në veprat e antikitetit e gjejmë këtë shqetësim. Njëra pjesë e studiuesve e shohin Eskilin si humanistin e parë, ndërsa të tjerë e shohin Prometeun si “të papërgjegjshmin” e parë. Kur i mori zjarrin perëndive për t’ja dhënë njerëzve, veçse çeli derën për më shumë barbarizëm të fshehur nën petkun e dijes dhe teknologjisë.
Kështu u skandalizua Evropa në fillimshekullin e njëzetë, teksa arsyetonte se nuk kishte mundësi që gjama të ndodhte brenda kontinentit, pasi ata e kishin nxjerrë jashtë vetes krimin, duke syrgjynosur Tjetrin me ngjyrë, fe apo preferenca seksuale që nuk përshtateshin me etikën e tyre. Epo, ja që teknologjia ndihmoi që të përshpejtohej vrasja masive, barbaria.
Sot, në kuadrin e zhvillimeve të forta gjeopolitike, ndërsa Fuqitë rendin pas luftërave dhe territoreve, për herë të parë ka një singularitet historik që pritet të vendosë të ardhmen e hegjemonit ndërkombëtar – Inteligjenca Artificiale. Ushtria e parë që u pajis me barut mundi çdo ushtri tjetër që kishte veç heshta. Ky është singulariteti historik sot, ndërsa dy gjigantët – SHBA-të dhe Kina janë në garë. Në luftën e fundit dyjavore të Izraelit me Iranin pamë se si programi “Mozaik” i kompanisë “Palantir” arriti të ndërtonte një qasje të ndryshme nga inteligjenca në terren e SHBA-së. Ndërsa shefja e inteligjencës Tulsi Gabard tha se nuk janë afër armës bërthamore, programi me Inteligjencë Artificiale mblodhi mbi 200 milionë të dhëna nga bisedat e iranianëve nëpër rrjete sociale, telefona, komjutera dhe sende të tjera elektronike dhe përllogariti se inteligjenca në terren e kishte gabim. Nuk di të ketë ndonjë rast tjetër, por këtë luftë mund ta cilësojmë si të parën që zhvillohet me mbështetjen e Inteligjencës Artificiale që i mbivendoset asaj njerëzore.
Ku po shkojmë?
Gjithçka fillon me përjashtimin, jo me rregullin. Këtë na meson filozofi italian Xhorxho Agamben. Fuqia e vërtetë e shtetit modern nuk qëndron te ligjet që harton, por tek momenti kur i pezullon ato. Pikërisht kur shpall se kjo jetë nuk vlen. Ky njeri tani e tutje është jashtë rendit – mund ta vrasësh, burgosësh, ta fshish nga faqja e dheut dhe ta cilësosh aktin si mbrojtje, civilizim, siguri, paqe. Novelisti Xhozef Konrad e kishte kuptuar këtë. “Kur mbërrita në Kongo mendoja se isha njeri normal”, shkruan ai. Ai rrëfen për vijën e hollë që e kemi harruar që ndan njeriun nga jo-njeriu, se kush mbahet mend dhe kush varroset pa emër. Agambeni, kur merr dhe studion këto raste, na sjell një term të bukur për këto qasje të cilat i fshehim nëpër ligjërime, por që sot po rikthehen – makineri antropologjike. Nuk ka ingranazhe apo tela, por është gjuhë, ligj, kufij dhe e gjen nëpër emisionet e darkës. Ata me kollare dhe folkë të lëpira fillojnë dhe thonë se këta janë njerëz, këta jo, këta t’i shpëtojmë, këta t’i mbysim në det, këta t’i përkujtojmë, këta t’i harrojmë.
Konradi i pa kampet para se të ndërtoheshin, ndërsa Agambeni na jep instrumentet për të parë nëse do përsëritet i njëjti skenar. Aktualisht jemi në fund të epokës liberale. Tempujt e saj po shemben. Maskat po bien. Kufijtë janë rikthyer. Etniciteti është flamur. Feja nuk është më private, është kthyer në armë. Refugjati, emigranti, Tjetri — janë rikthyer në diskurin publik vetëm për t’u refuzuar dhe përçmuar. Në kuadër të një shoqërie kontrolli, përjashtimet bëhen nëpër aeroporte, qendra azili dhe algoritme interneti.
Në Gaza po ndodh gjama. India dhe Pakistani kanë filluar të gjejnë armiq të brendshëm. Evropa po ndërton mure dhe kampe. Amerika arreston fëmijë. Nëse deri dje menduam se kampi ishte aksident, sot kuptojmë se është model i politikës moderne, jo aksidencë historike – një vend ku ligji është pezulluar, ku njeriu është cullak. Një nga personazhet e Konradit e thotë bukur kur shprehet se jo vetëm afrikanët vdisnin nëpër ato zona plot pluhur, por edhe shpirtrat evropianë shpartalloheshin atje tutje.
Premtimi liberal për të drejta universale nuk u përmbush kurrë. Sot, tek tuk, vetëm Evropa e ruan disi, por gjithnjë është akuza për të shkuarën e saj koloniale. SHBA-të, Kina, Rusia dhe vende të tjera të fuqishme kanë hequr dorë. Po flasim përditë për përplasjen e qytetërimeve sikur të jetë diçka e re. Ndërkohë, është e njëjta makineri shekullore, por tani do ta shohim më qartë në dekadat në vijim – Lindja kundër Perëndimit, Krishtërimi dhe Islami kundër sekulares, fisi kundër kombit, e shenjta kundër shkencës. Secili prej personave që tërheq fijet në njërën prej qasjeve të mësipërme po ngre altarët e rinj për të madhëruar dhunën.
Ca liberalë të shashtisur na thonë se do na shpëtojë tregtia. Ca të tjerë na thonë se do na shpëtojë demokracia. Këtu jemi tani. Pyetja nuk është kush do ta ndalojë, porse kur gjithçka të marrë fund, çfarë do themi?