Autoritetet amerikane kanë nisur një operacion kërkimi për të kapur autorin e vrasjes së Charlie Kirk në orët e para të së enjtes. Deri më tani, përpjekjet nuk kanë sjellë rezultate konkrete.
Në mediat vendase është shpërndarë një video sigurie, ku shihet autori teksa largohet menjëherë pas sulmit. Sipas kreut të Departamentit të Sigurisë Publike në Utah, Beau Mason, ai u ngjit mbi çatinë e ndërtesës nga ku qëlloi, më pas u hodh nga një lartësi e konsiderueshme, kaloi një rrugë dhe përfundoi në një park të madh, ku braktisi edhe armën.
Teoritë e konspiracionit
Ashtu si në shumë ngjarje të ngjashme, rrjetet sociale janë mbushur me versione të ndryshme konspirative rreth vrasjes së Kirkut. Një prej tyre lidhet me truprojën e tij, i cili, sipas disa komentuesve, dyshohet se mund të ketë dhënë një lloj sinjali në momentin kritik. Ai ndodhej vetëm pak metra larg viktimës, çka ka ngritur hipoteza për një tradhti të mundshme.
Megjithatë, kjo tezë nuk është mbështetur nga fakte dhe mbetet vetëm një spekulim. Shumë të tjerë theksojnë se truproja ka qenë pranë Charlie Kirk prej shumë vitesh dhe është e vështirë të besohet se ai mund ta kishte tradhtuar.