Publicist, përkthyes, predikues fetar dhe veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare. I tillë ishte Hafiz Ali Korça, një ndër personazhet më të rëndësishme të historisë shqiptare të periudhës së rilindjes e deri pas luftës së dytë botërore.
Hafiz Ali Korça lindi dhe u arsimua në qytetin e Korçës. Studimet e larta për teologji i ndoqi në Stamboll. Që në moshën 12—vjeçare ai njihte përmëndësh librin e shenjtë të Kuranit, duke qenë Hafiz që në vegjëlinë e tij.
Pas studimeve në Stamboll, ai vihet në kontakt me personalitete të diasporës shqiptare dhe fillon angazhimin e tij të gjatë për çështjen kombëtare shqiptare. Përkrahu vendimet e Kongresit të Manastirit për një alfabet latin të gjuhës shqipe, qëndrim për të cilin ai u linçua me nofkën “hoxha latinxhi” dhe shtëpia e tij u sulmua për disa muaj nga fanatikë të dirigjuar nga perandoria e atëhershme osmane. Hafiz Ali Korça njohu internimin që në periudhën e perandorisë osmane, madje ishte kjo e fundit në kohën e drejtimit nga Talat Pasha që vendosi të dënonte me vdekje Hafiz Ali Korçën, por pas ndërhyrjeve nga miq të tij, jeta iu fal.
Ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Dibrës dhe përkrahu ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, në pritjen e të cilit mbajti dhe një fjalim hiistorik.
Angazhimi në rrafshin kulturor e vendosi teologun në pozitën e protagonistit në disa nga ngjarjet që shënjuan historinë e shqiptarëve. Hafiz Ali Korça ishte ndër mësimdhënësit e parë në Mësonjëtoren e Korçës. Më pas ishte ndër themeluesit e Normales së Elbasanit dhe ndër të parët mësimdhënës në Medresenë e Tiranës. Pikërisht si mësimdhënës në Medrese, ai ishte hartues i një doktrine novatore ku formimi fetar duhej gërshetuar me kultivimin dhe avancimin e vetëdijes kombëtare, pasi ai besonte në postulatin se pa atdhe nuk mund të kishte as fe.
Hafiz Ali Korrca njihte gjuhët arabe, turke, perse, osmanishten e vjetër dhe frëngjishten.
Ky formim i gjerë i mundësoi atij botimin e disa veprave në shumë lëmi të cilat përbëjnë ndër pasuritë më të vyera të kulturës shqiptare. Në vitin 1910 – ë Hafiz Ali Korça boton veprën “Abetare Shqip” të cilën e pason në 1916-ën me veprën “Gramatika, Syntaksa shqip-arabisht dhe fjalime”. Në këto vepra u përdorën si alternime dy alfabetet, ai i Stambollit dhe alfabeti i Kongresit të Manastirit.
Hafiz Ali Korça përktheu në shqip plot 12 vepra, ndër to përkthimi i Kuranit dhe “Rubaijati” i Omer Khajam. Përktheu dhe veprat “Gjylistani” dhe “Jusufi me Zelihane” duke sjellë në shqipt një tjetër autor. të njohur si Sadiu.
Një nga veprat më të rëndsishme të tij do të ishte ajo e shkruar në vitin 1925-ë, “Bolshevizma a ç’katërrimi i njerëzimit”, ku Hafiz Ali Korça evidenton ideologjinë komuniste si rrezikun kryesor të denatyrimit kombëtar dhe moral. Ai parasheh se përhapja e kësaj ideologjie do të mbërrinte dhe në vendin tonë dhe pasojat e saj në jetën shoqërore do të ishin fatale. Ishte pikërisht kjo vepër, preteksti që regjimi komunist përdori fillimisht për burgosjen e më pas internimin e tij në zonën e Kavajës ku kleriku i njohur ndërroi jetë i vetmuar në vitin 1957-të. Populli i Kavajës e përcolli me nderime dhe pjesëmarrje masive arkmortin e tij, duke treguar se vepra e Hafiz Ali Korçës ishte ngulitur thellë në vetëdijen e shqiptarëve.