LËVIZJET PRISHTINË – PARIS
Si student shkruaja ndonjë gjë kryesisht për çështje librash dhe te gazeta e studentëve Bota e re, ndërsa në atë kuadër shumë shpejt bashkë me I. Rugovën, H. Islamin, e disa shokë nisëm dhe revistën shkencore Dituria, e cila në rrethanat e atëhershme shihej si një sukses. Arritëm të nxirrnim vetëm 4 numra. Kisha nisur dhe ndonjë përkthim të poezive që na dukeshin moderne. Më 1971 themeluam dhe botimet Bota e re, ku si libër të parë të serisë pata mundësinë të botoja një përzgjedhje të vjershave të Jacques Prever-it (Shi dhe kohë e bukur). Atëherë më kisha botuar dhe ndonjë artikull në revistat shkencore të kohës dhe tashmë kisha marrë orientimin e preokupimeve me gjuhësi. Pas diplomimit, që për herë të parë në Prishinë bëhej me një temë për pikëpamjet e një gjuhëtari modern (zvicerani Charles Bally), kërkova mundësinë të shkoja për studime në Paris. Idenë për të shkuar në Paris ma mbështesnin dhe profesorët (I. Ajeti, H. Agani, A. Çetta) dhe sidomos miqtë G. Bobi, A. Pashku e të tjerë të brezit. Kontaktin e parë atje, për mua krejt çuditshëm të lehtë, e mora me telefon me profesorin André Martinet, veprat e të cilit i lexoja me aq shumë vullnet. Ai kontakt, pas një bisede të gjatë në shtëpinë e tij më hapi rrugë dhe më dha zemër të vazhdoja më tej. Pas një qëndrimi të shkurtë në Paris u ktheva në Prishtinë me paketa librash që më dukeshin thesare. Profesor Ajeti më njoftoi se tashmë i kishte arritur letra e profesorit francez, i cili shprehte rekomandimet e tij për mbështetje. Në fillim Bashkësia për Shkencë e Kosovës më dha një bursë për studime të shkallës III në Beograd, e cila ishte krejtësisht e pamjaftueshme, por ndërkohë fillova të punoja si asistent në Fakultetin Filozofik dhe një pjesë të pagës e ndaja për qëndrim të kohëpaskohshëm në Paris. Shpejt u ndërpre dhe bursa, kështu që çdo gjë duhej të përballoja vetë, ndërkohë që atje kisha mbaruar vitin I të studimeve të III cycle, ndërsa Martinet më kishte propozuar të kaloja menjëherë në shkallën e doktoratës duke miratuar dhe projektin. Mundësi financiare për të vazhduar studimet e doktoratës në Paris nuk kisha, edhe pse ndërkohë kisha botuar mjaft gjëra, kisha përkthyer veprën e Martinet-së, po përktheja veprën e Saussure-it, kisha përkthyer një përzgjedhje të poezive të Alain Bosquet-së. U detyrova të kthehesha në Prishtinë dhe prej atje të vazhdoja të ndiqja fillet që kisha zënë ndërkohë, por u pa se ashtu nuk ishte e mundshme të shkohej larg, prandaj me propozimin e I. Ajetit paraqita doktoratën në Prishtinë. Për një kohë lëvizjet Prishtinë-Paris vazhduan deri më 1980, ndërsa pas vitit 1981 nuk qenë dhe aq të lehta për mua. Sa shkoja në Paris pak më me rregull, në vitet ‘72-74’ kisha krijuar afërsi me qarqet rreth Martinet-së, po edhe me A. Bosquet-në, i cili shfaqte interes për të mësuar diçka më shumë për letërsinë dhe artet shqiptare.
Burimi: arteka.al