Edip Tërshana ishte arsimuar për mësuesi në Normalen e Elbasanit, ndërkohë që në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishtë nismëtari i krijimit të Këshillit Antifashist të Dibrës.
Ai u largua nga kjo lëvizje pas mbledhjes së Mukjes duke akuzuar komunistët se kishin prishur marrëveshjen nën presionin e dy emisarëve jugosllavë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç.
Ai arrestohet në vitin 1947 dhe po këtë vit dënohet me pushkatim.
Ekzekutimi kryhet në Peshkopi në vitin 1948.
Para pushkatimit, Edip Tërshana i drejtonte një letër Enver Hoxhës të mbushur me akuza për vasalitet ndaj Jugosllavëve, varfërim deri në mjerim të popullit, ushtrim sistematik terrori dhe profetizim të kultit të Stalinit
Letra e plotë e Edip Tërshanës drejtuar Enver Hoxhës
Enver!
Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare.
Unë isha në Dibër krijuesi i saj.
Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhti të Atdheut, se jo vetëm hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomikisht.
Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetërore dhe para-shtetërore. Kjo është tradhëti. Sot politika e jashtme e juaj sllave ka shkaktuar që UNÇ të jetë kundër nesh humbin shumë miq; kjo është Tradhëti.
Jam kundra për vrasjet me gjyq dhe pa gjyq, që i bëhen këtij populli, pse kështu don sllavi.
Për 20.000-30.000 që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti.
Ky është pushteti që varfnoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkohë që ne kishim për 20 vjet vesh-mbathje; kjo është pra tradhtia.
Jam kundra këtij Pushteti, se është spekullator tue grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregtarët po ja shet ma shtrenjt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve kinse janë spekullatorë. Kurse Pushteti është në spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15 mori duhanin 15-20 fr dhe ja shiti 100-120 fr. Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti.
Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion fr. shqiptare për të ushqyer Pecot e mashorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhti këto?
Jam kundra thirrjeve “Jemi bijtë e Stalinit”, sepse ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë sa kur përmend Stalinin, të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra se injoranca s’don kulturën; kështu duan sllavët. Kjo besoj është tradhti.
Jam kundra sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin? Jam kundra se në Historinë për Shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekërve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepulli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe kësaj ëndrre.
Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht.
Jam kundra, se oficerë të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabitë gratë e botës, me grabitë karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi.
Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?
Enver!
Tue çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranu se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mban. Pret nënë e mjerë, pasi i jati të vrasë të birin e bijtë e vet. Edhe kjo është tradhti e pushtetit popullor.
Ky pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhti e naltë.
More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin.
Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut edhe me politikën tuaj të jashtme.
A s’është tradhti? Rroftë Ideali Kombëtar, Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ja falët Jugosllavisë! Rroftë Populli shqiptar!
Rroftë flamuri kombëtar i panjollosur!
Edip Tërshana