Ish-ylli i Arsenalit, Thierry Henry, ka komentuar situatën e Mohamed Salah në Liverpool, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së unitetit brenda klubit dhe respektit për stafin dhe bashkëlojtarët.
Henry kujtoi eksperiencat e tij personale me trajnerë të mëdhenj, duke thënë:
“Kam pasur probleme me Wenger dhe me Guardiolën. A më keni dëgjuar ndonjëherë të flas për to publikisht? Kurrë. Unë e kam mbrojtur klubin. Kur luan për një klub, e mbron atë me çdo kusht.”
Sipas ish-sulmuesit, pavarësisht situatave të vështira brenda skuadrës, lojtarët duhet të qëndrojnë të bashkuar:
“Çfarëdo që po ndodh brenda, e mbron bashkëlojtarin, trajnerin dhe stafin. Mund të jesh i zemëruar, i frustruar apo në mosmarrëveshje, por nuk nxjerr gjëra të brendshme të klubit në publik, veçanërisht kur klubi po kalon momente të vështira. Duhet të presësh, ta rregullosh situatën brenda, dhe pastaj, nëse do të largohesh ose do të shprehësh mendimin tënd, e bën në kohën e duhur.”
Henry gjithashtu u shpreh se e kupton frustrimin e Salah, sidomos kur shënon shumë gola, por nuk merr gjithmonë vendin e duhur në formacion:
“E kuptoj egon dhe frustrimin e Mo. Shënon 38 gola dhe megjithatë përfundon në stol, por vjen një moment kur duhet të vësh skuadrën përpara vetes.”
Komentet e Henry-s vijnë në një kohë kur diskutimet për situatën e Salah në Liverpool kanë mbajtur në tension mediat dhe tifozët.

