Presidentja e Maqedonisë së Veriut ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me thirrjet raciste ndaj shqiptarëve nga tifozë maqedonas gjatë ndeshjes së basketbollit kundër Rumanisë, duke theksuar se këto sjellje kanë krijuar tensione në vend dhe duhet të trajtohen me seriozitet.

Gordana Siljanovska Davkova theksoi se institucionet duhet të hetojnë ngjarjen dhe se nuk mund të ketë tolerancë ndaj rasteve të tilla.

POSTIMI:

Mësim i (pa)mësuar

Në mesin e korrikut, gjatë ndeshjes midis Shkëndijës dhe kampionit të Uellsit, TNS, me fyerjet raciste ndaj futbollistit Armand Otte, tronditëm gjithë sportin, por edhe opinionin ndërkombëtar, i cili me të drejtë pyeti:

Si është e mundur që një tifoz i paskrupullt ta thyejë emocionalisht një futbollist derisa ai shpërthen në lot, duke përdorur gjuhë urrejtjeje me bazë racore?

Turpi ra mbi të gjithë: organizatorin, klubin, pjesëmarrësit, qytetin, shtetin, sportin!

Përfundimi i vetëm logjik ishte:

“Një sjellje e tillë nuk duhet të tolerohet në asnjë stadium, në asnjë sport, kurrë dhe askund.”

Dhe… për shkak të një analfabetizmi sportiv të pashëruar, kush e di si, reagimet ndaj incidentit të rëndë në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm drejtuan plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë – por që na goditën të gjithëve, përfshirë edhe vetveten – ishin sërish të vonuara dhe të vakëta.

Sërish ndjehemi të turpëruar.

Është jo sportive të keqpërdoret fusha sportive për “ushtrime” të gjuhës së urrejtjes, për fyerje dhe satanizim përmes fjalëve helmatisëse dhe vrasëse – raketa!

Pas kaq shumë betejash të humbura njerëzore në arenat sportive, duhet ta themi me zë të lartë e të qartë:

Kurrë më! Kudo që të jemi, me këdo që të garojmë, nuk do të lejojmë që fusha sportive të shndërrohet në një arenë tifozësh-gladiatorë!

Sigurisht, mësimi i parë “si të brohorasësh” mësohet në shtëpi, dhe më pas vjen: çerdhja, shkolla fillore, shkolla e mesme, kolegji, klubi, ndeshja, audienca.

Ndoshta, për fillestarët, para çdo ndeshjeje, spektatorëve duhet t’u dërgohet një mesazh paralajmërues për të fikur mendimet dhe mesazhet e këqija, ashtu siç fikin celularët.

Duhet të kuptohet se ndeshja nuk është një betejë për jetë a vdekje, por një garë kalorësiake për një fitore të merituar. Publiku pritet të brohorasë, të mbështesë dhe inkurajojë, e jo të fyejë apo të lëndojë.

Lojtari më i mirë duhet të fitojë, por gjithashtu duhet të respektojë kundërshtarin.

Brohoritja është shpërblim, jo ndëshkim.

Më lejoni t’ju kujtoj:

Turpi nuk është vetëm për ata që lëndojnë me fjalët e tyre, sepse ato ndikojnë jo vetëm tek ata në sallë ose në fushë, por edhe tek ata që i shohin dhe i dëgjojnë përmes mediave dhe rrjeteve sociale.

Duhet t’i kundërvihemi urrejtjes së tifozëve, të kultivojmë dhe fisnikërojmë brohoritjet, të mësojmë si të brohorasim, por edhe si të mos brohorasim.

Duhet të intensifikojmë luftën kundër paragjykimeve dhe konflikteve mes “të ndryshmëve”, të mësojmë të njohim dhe të respektojmë njëri-tjetrin.

Duhet të parandalojmë shpërthimet e urrejtjes, të reagojmë në kohë, t’i trajtojmë dhe sanksionojmë aktet e urrejtjes!

Brohoritjet pasionante nuk janë kurrë fyese apo agresive.

Na nevojitet një alfabet i brohoritjes, një shkrim-lexim sportiv i brohoritjes, sepse një fitore sportive është fitore e Pirros nëse shoqërohet me agresion fizik apo verbal!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *