Organizata “Transparency International” ka publikuar të dhënat e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2022 ku duket se Kosova ka shënuar progres në treguesit e saj, ndërkohë që Shqipëria vijon me treguesit e mëparshëm.
Në Indeksin e sivjetshëm të Perceptimit të Korrupsionit, Kosova radhitet në vendin e 84-t me 41 pikë, dy më shumë se vitin e kaluar. Ky është niveli më i lartë i pikëve në 10 vjetët e fundit për Kosovën, megjithatë TI thekson se Kosova ka ende shumë sfida për të përmbushur në luftën ndaj korrupsionit.
“Kosova ka bërë përparim me kornizë të përmirësuar të ligjit për financimin e fushatave politike dhe zgjedhore, por zbatimi i reformave të tilla do të jetë kyç në muajt e ardhshëm. Qeveria duhet ta përmirësojë ende transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Edhe pse vitin e kaluar nuk ka patur skandale të korrupsionit që kanë dalë në dritë, kjo s’do të thotë se korrupsioni është nën kontroll. Shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë ulur mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike, që ka qenë problem i së kaluarës.” – thuhet në raport.
Shqipëria nga ana e saj, renditet e 101-ta në këtë raport, nga 180 shtete të monitoruara. Raporti thekson se vendi ynë vijon të ofrojë të njëjtit tregues korrupsioni si vitin e kaluar, ndërkohë që fenomeni i ngecjes në treguesit e mëparshëm nuk duket të jetë një fenomen vetëm shqiptar.
“Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po shohim këtë ngecje në vend. Një situatë pothuajse të ngjashme kemi dhe në Mal të Zi, ndonëse atje numri i pikëve është pak më i lartë. Gjithsesi, ajo që do të donim të nënvizonim dhe që ka shumë rëndësi është se Ballkani Perëndimor si rajon dhe vendet brenda tij po tregojnë shumë pak përparim gjatë këtyre viteve. Madje dhe kur ka përparim, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk është i qëndrueshëm-”- theksohet ndër të tjera në përfundimet e raportit.