TIRANË – Vetëm pesë minuta reshje të dendura shiu dhe breshëri ishin të mjaftueshme për të kthyer Tiranën në një qytet nën ujë. Rrugët kryesore u përmbytën, lagjet u mbuluan nga pellgjet, dhe qarkullimi në shumë zona u bë i pamundur. Situata e krijuar riktheu me forcë në vëmendje problemet kronike të infrastrukturës së qytetit, të cilat, pavarësisht investimeve dhe premtimeve, vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Pusetat e bllokuara, kanalet e papastruara dhe mungesa e një sistemi funksional të menaxhimit të ujërave po rezultojnë fatale për përballimin e reshjeve, edhe kur ato zgjasin vetëm disa minuta. Pamjet nga terreni tregojnë rrugë tërësisht të mbuluara nga uji, ndërsa pusetat janë tejmbushur dhe të pamjaftueshme për të përthithur edhe sasitë më të vogla të reshjeve.
Drejtuesit e automjeteve janë detyruar të ndalojnë ose të manovrojnë me vështirësi në mes të rrugëve të mbushura me ujë dhe gropa. Situata ka shkaktuar jo vetëm bllokime trafiku, por edhe dëme në automjete, pa përmendur rrezikun për këmbësorët dhe banorët, sidomos në lagjet me infrastrukturë më të dobët.
Banorët, të lodhur dhe të zhgënjyer, e përshkruajnë këtë situatë si të përsëritur dhe të papranueshme. “Kjo ndodh gjithmonë kur bie shi, edhe në verë. Imagjinoni si do jetë në vjeshtë apo dimër,” u shpreh një banor i një lagjeje pranë qendrës. Sipas tij, problemet nisin nga mos-pastrimi i kanaleve të ujërave të bardha dhe të zeza, si dhe nga grumbullimi i mbetjeve urbane që bllokojnë sistemin e kullimit. “Pluhuri dhe mbeturinat dalin në sipërfaqe pas çdo reshjeje, duke e bërë situatën edhe më të rëndë,” shton ai.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa të menjëhershme për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve të ujërave, situata do të përkeqësohet ndjeshëm me afrimin e vjeshtës dhe dimrit – periudha kur reshjet janë më të shpeshta dhe më të forta.