Artikulli i zotit Ernest Crosby te “Qëndrimi i Shekspirit ndaj klasës punëtore” më nxiti idenë për të shprehur edhe mendimin tim të krijuar prej kohësh për veprat e Shekspirit, si kundërshtim i drejtpërdrejtë ndaj vlerësimit që i bëhet në të gjithë botën evropiane.
Ndërsa kujtoj trazimin e madh prej dyshimit dhe ndjenjës së vetë-mashtrimit, përpjekjen për t’u përshtatur me Shekspirin të cilën e tejkalova për shkak të mospajtimit tim të plotë me këtë adhurim universal dhe, duke marrë me mend se sa shumë e kanë përjetuar dhe po e përjetojnë të njëjtin adhurim, mendoj se mund të mos jetë e padobishme të shpreh përfundimisht dhe sinqerisht pikëpamje timen, në kundërshtim me atë të shumicës, dhe aq më tepër që përfundimet në të cilat arrita, kur shqyrtoja shkaqet e mospajtimit tim me opinionin e rrënjosur botërisht, janë jo pa interes dhe rëndësi.
Mosmarrëveshja ime me opinionin e rrënjosur për Shekspirin nuk është pasojë e një gjendjeje të rastësishme mendore, as i një qëndrimi mendjelehtë ndaj çështjes, por është fryt i përpjekjeve të përsëritura dhe këmbëngulëse shumëvjeçare për të harmonizuar pikëpamjet e mia për Shekspirin me ato të rrënjosura midis të gjithë njerëzve të qytetëruar të botës së krishterë.
Më kujtohet habia që ndjeva kur lexova për herë të parë Shekspirin. Prisja të merrja një kënaqësi të fuqishme estetike, por duke lexuar, njëra pas tjetrës, veprat që mbahen si më të mirat e tij: “Mbreti Lir”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Hamleti” dhe “Makbethi”, jo vetëm që nuk ndjeva asnjë kënaqësi, por ndjeva një neveri dhe lodhje të pashmangshme dhe dyshova nëse ishte e pakuptimtë ndjesia që kisha për vepra që shihen si kulmi i përsosmërisë nga e gjithë bota e qytetëruar si të parëndësishme dhe vërtetë të dobëta, apo nëse rëndësia që i jep kjo botë e qytetëruar veprave të Shekspirit ishte e pakuptimtë.
Shqetësimi im shtohej nga fakti se gjithmonë i ndjeja me forcë bukuritë e poezisë në çdo formë; atëherë pse veprat artistike të njohura nga e gjithë bota si ato të një gjeniu, – veprat e Shekspirit – jo vetëm që s’do të më kënaqnin, por do të ishin të papëlqyeshme për mua? Për një kohë të gjatë s’mund të besoja në veten time dhe gjatë pesëdhjetë viteve, për të testuar veten, rfillova disa herë të lexoja Shekspirin në çdo formë të mundshme, në rusisht, në anglisht, në gjermanisht dhe në përkthimin e Schlegel-it, siç më këshilluan.
Disa herë lexova drama, komedi dhe drama historike, dhe pa ndryshim përjetova të njëjtat ndjenja: neveri, lodhje dhe hutim. Në kohën e tanishme, përpara se të shkruaj këtë parathënie, duke dashur të provoj edhe një herë veten time, unë, si një plak shtatëdhjetë e pesë vjeç, kam lexuar përsëri të gjithë Shekspirin, duke përfshirë dramat historike, “Henri”, “Troili dhe Kresida, “Shtrëngata”, “Simbelini” dhe kam ndjerë, me forcë edhe më të madhe, të njëjtat ndjenja, – megjithatë, këtë herë, jo nga shushatja, por nga bindja e fortë dhe e palëkundur se lavdia e padiskutueshme e një gjeniu të madh që gëzon Shekspiri dhe që i detyron shkrimtarët e kohës sonë ta imitojnë dhe lexuesit e spektatorët të zbulojnë tek ai merita joekzistente, – duke shtrembëruar kështu kuptimin e tyre estetik dhe etik, – është një e keqe e madhe, siç është çdo e pavërtetë.
Gjithsesi e di që shumica e njerëzve besojnë aq fort në madhështinë e Shekspirit saqë duke lexuar këtë gjykim timin nuk do të pranojnë as mundësinë e drejtësisë së tij dhe nuk do t’i kushtojnë vëmendjen më të vogël, megjithatë unë do të përpiqem, siç mundem, për të treguar pse besoj se Shekspiri nuk mund të njihet as si një gjeni i madh, as edhe si një autor mesatar.
Fragmenti hyrës i një eseje të gjatë të Tolstoit e botuar në vitin 1906, e cila është kritike ndaj veprë së Shekspirit. Eseja ngjalli shumë reagime, ndër më të njohurit ai i George Orwell-it me titull “Mbreti Lir, Tolstoi dhe loloja; polemikë me Tolstoin për Shekspirin” botuar në vitin 1947.
Përktheu: Granit Zela