Drejtuesi i Partisë Socialdemokrate u paraqit në mëngjes në Prokurorinë e Posaçme. Doshi nuk pranoi të fliste para mediave, ndërsa në godinë hyri i vetëm.

Pritet të mësohen arsyet e thirrjes në SPAK të Doshit, ndërsa pak ditë më parë, ky i fundit u shpreh se do të ishte në krye të listës së partisë që drejton në qarkun e Shkodrës për zgjedhjet e 11 majit.

Doshi është akuzuar nga opozita për blerje votash dhe përfshirje në afera korruptive, ndërsa është listuar në listën e personave të padëshiruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, dha një deklaratë për mediat.

Ai sqaroi se ishte thirrur në lidhje me një takim që kishte zhvilluar në Rrogozhinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2023. Sipas Doshit, personi me të cilin ishte takuar rezultoi të ishte nën përgjim. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Doshi mohoi çdo përfshirje në pastrim parash dhe shprehu mbështetjen e tij të vazhdueshme për reformën në drejtësi, duke deklaruar se deputetët e partisë së tij do të vazhdojnë të mbështesin SPAK-un edhe në të ardhmen. 

By Editor