Mbrojtësi Tomas Guidara, i cili ka luajtur për grupmoshat e Argjentinës, ka bërë të ditur publikisht gatishmërinë e tij për të përfaqësuar Shqipërinë.
Guidara u vu re për herë të parë kur trajneri Sylvinho përmendi një futbollist me origjinë shqiptare në Argjentinë. Tani, mbrojtësi i Hurucan-it konfirmon se dëshiron të vishet me fanellën “Kuq e Zi”.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Guidara tha se dëshiron të mësojë më shumë rreth rrënjëve të tij shqiptare dhe se është në kontakte me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
“Të them të drejtën, më entuziazmoi kur mësova se një kombëtare ishte e interesuar për mua. Është një ndjenjë shumë e bukur dhe motivuese kur puna jote vlerësohet, dhe kjo të bën të ndihesh pjesë e diçkaje më të madhe se vetja,” u shpreh ai.
Ai shtoi se deri tani di pak për prejardhjen e tij shqiptare, por dëshiron të mësojë më shumë dhe të lidhet me komunitetin arbëresh ose personat nga Shqipëria.
“FSHF ka kontaktuar direkt me mua dhe me përfaqësuesin tim, duke treguar interes për të më pasur në skuadër. Ishte një ndjesi shumë pozitive që tregon se puna ime vlerësohet jashtë vendit,” deklaroi Guidara.
Për momentin, nuk dihet nëse ai ka pasaportë shqiptare dhe nëse mund të ftohet nga Sylvinho për ndeshjet e marsit në kuadër të gjysmëfinales së play-off-it për Kupën e Botës.

